Barçagate/ Mesazhet sekrete të Bartomeut janë shokuese, ai e pranon që “Messi është një mi kanalesh”

Mediat spanjolle “plasin bombën” edhe pse Josep Maria Bartomeu prej kohësh nuk është më president i Barcelonës. Orët e fundit janë zbardhur disa mesazhe mes tij dhe ish-shefit të zyrës ligjore, Román Gómez Ponti ku ai e drejton gishtin e akuzës drejt argjentinasit duke mos kursyer as fjalorin banal për njeriun që e ngjiti klubin në një nivel tjetër. Fillimisht është Ponti ai që shprehet:

“President, nuk mund të jesh kaq i mirë me atë mi kanalesh. Klubi i ka dhënë gjithçka ndërsa ai ka vendosur diktaturën e pagave, transferimeve, rinovimeve dhe sponsorave. Nuk mund t’u përgjigjemi shifrave të kontratës së tij. Pastaj, ne duhet të mendojmë edhe për dëmin që i shkaktohet imazhit të klubit nga ky xhuxh. Ai kërkon që të ulet paga e të tjerëve por jo e tij dhe e Luis Suarez”.

Përgjigja e Bartomeut ishte e menjëhershme dhe pa nënkuptime:

“Po, jam dakort për shumë gjëra. Kjo sjellje dëmton rëndë imazhin e klubit. Shumë herë e kemi dëgjuar Messin, jo gjithmonë por shpesh herë. Kjo kontratë pa pandeminë ishte e pranueshme, por në këtë situatë nuk është”.