Përjashtimi i 4 deputetëve, Strazimiri: Alibeaj, veprim donkishotesk! Paratë po i ha miu në dysheqet e pushtetarëve

Gent Strazimiri e ka konsideruar një veprim donkishotesk vendimin e fundit të Alibeajt për përjashtimin nga grupi parlamentar i PD-së të katër deputetëve të tjerë të rreshtuar me Berishën.

"Individi që përmendët nuk është kreu i grupit parlamentar të PD dhe si i tillë nuk mund të marrë vendime. Ai ka bërë një veprim donkishotesk, qesharak, është i fundmi në shërbim të Edi Ramës, janë veprime të dëshpëruara".

Në një intervistë për Ora News me gazetarin Arnold Kariqi, ai tha se PD është gati për zgjedhet e 14 majit.

" I ka ngrohur motorët dhe do të dalë fituese".

Ai përjashton mundësinë që grupi i Alibeajt t'i mbivendosë kandidatë opozitës.

"Nuk besoj se do të ketë njeri guximin të provokojë jo vetëm PD dhe demokratët, por opozitën në terësi".

Strazimiri komentoi edhe vjedhjen e bujshme në banesën e zyrtares së shtetit Alda Klosi.

"Drejtësia e re nuk arrin të arrestojë kriminelët, del një pastruese që duke kryer një krim i hap kapakun pusetës dhe del era e qelbur që përpiqet ta mbajë të mbyllur Rama dhe drejtësia e re.

700 mijë eurot e gjetura te drejtoresha janë baraz me shpërblimnin e paketës së luftës apo solidaritetit, nuk e di si e quajti Rama këtë lëmoshën që u dha pensionistëve për Vit të Ri. Paratë po i ha miu në dysheqet e pushtetarëve".

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.