Sylvinho e nis vrullshëm, takon drejtuesit e ekipeve kombëtare

Trajneri i ri i Shqipërisë, braziliani Sylvinho ka nisur menjëherë nga puna për të ndërtuar skuadrën e tij.

Në ambjentet e FSHF, 48-vjeçari zhvilloi një takim me të gjithë zinxhirin drejtues të ekipeve të moshave. Bushi, Cungu, Behari, Bulku, Kërçova, Damo, Krepi, Kola dhe Lilo ishin të pranishëm në këtë takim ku Sylvinho dhe ndihmësit e tij u shprehën se bashëkpunimi me ekipin e parë do të jetë pozitiv.

"Braziliani theksoi se bashkëpunimi mes trajnerëve të ekipeve kombëtare të moshave dhe Kombëtares A do të jetë shumë i ngushtë për të përgatitur dhe për të afirmuar sa më shumë lojtarë të talentuar.

Gjithashtu, Silvinjo u njoh edhe me mënyrën e organizimit të gjithë ekipeve të të moshave dhe për programin apo metodologjitë stërvitore që ato aplikojnë gjatë vitit, teksa mori informacion edhe për mënyrën se si monitorohen elementët e spikatur të cilët aktivizohen veçanërisht jashtë vendit.

Trajneri i Kombëtares theksoi se qëllimi i përbashkët është i njëjtë, për të afirmuar sa më shumë futbollistë të rinj, por edhe për të marrë sa më shumë rezultate pozitive me të gjitha ekipet kombëtare të moshave. Takime të ngjashme do të jenë periodike në një kohë që stafi i ri teknik përgatitet për nisjen e eliminatoreve të Europianit Gjermani 2024 në muajin mars", thekson FSHF.

Ndërkohë, FSHF ka publikuar ditën e sotme edhe disa nga momentet më të veçanta të ditës së parë të trajnerit brazilian dhe stafit të tij, në vendin tonë.