KLSH-ja nuk tremb kënd, askush para ligjit, Ministria e Manastirliut jep miliarda lekë për koncensionin e laboratorëve
Kontrolli i Lartë i Shtetit duket se është shumë larg pritshmërive të publikut për mënyrën se si ai i zbaton edhe auditimet që vetë i kryen. Kjo pasi edhe pse konstaton shkelje të rënda në procedurat e kontratave koncensionare, mjaftohet me letër porosi për drejtuesit e institucioneve në vend që të paraqesë dosjet e abuzimeve në Prokurori për këdo që shkel ligjin me fondet publike. Një rast i tillë është edhe ai i koncensionit të Ministrisë së Shëndetësisë për shërbimin laboratorik në spitale, për të cilin kompania vijon të paguhet me miliarda lekë në shkelje të ligjit.
Koncesioni për shërbimin laboratorik në spitale i dhënë në shkelje të ligjit nga ana Ministrisë së Shëndetësisë, është dëshmi e kapitullimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për të vënë para drejtësisë të personave përgjegjës.
Kjo për faktin që edhe pse KLSH-ja konstatoi shkelje të rënda, ky institucion u mjaftua vetëm me rekomandimin për anulimin e koncesionit, ndërsa nuk denoncoi asnjë përgjegjës.
Ndërkohë koncesionari vijon të marrë mialarda lekë nga paratë e qytetarëve shqiptarë.
Konkretisht, në auditin e bërë në Ministrinë e Shëndetësisë në tetor të vitit 2021, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se kontrata koncesionare për “Ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare dhe rajonale”, me vlerë prej 100 milionë eurosh, ka shkelje të rënda gjatë shqyrtimit të ofertave.
Në raportin e KLSH-së, thuhej se ortakët pjesëmarrës në kompaninë koncensionare “Laboratory Networks” nuk plotësonin disa kritere të rëndësishme dhe janë shpallur fitues në shkelje të ligjit, përfshirë aftësitë teknike dhe integritetin e individëve përfitues.
Eleminimi i kompanisë “Laboratory Networks” është kërkuar edhe nga konsulenti ndërkombëtar IFC.
Për këtë, institucioni më i lartë i auditimit në vend, i drejtuar nga Arben Shehu, është mjaftuar me një rekomandim të lënë në Ministrinë e Shëndetsëisë, duke i kërkuar anulimin e menjëhershëm të kontratës, ndërsa nuk ka kallëzuar asnjë person për shkeljet e rënda të konstatuara.
Ndërkohë, nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë jo vetëm që nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e KLSH-së, por ka vijuar normalisht kontratën koncesionare të lidhur në shkelje të ligjit me kompaninë “Laboratory Network” të biznesmenit Janis Karathano.
Vetëm në tre ditët e fundit të 2022-it, kompania në fjalë ka marrë nga autoritetet shëndetësore 385 mijë euro, ndërsa gjatë gjithë vitit fatura mbi 13 milionë euro.
Pra, pavarësisht rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe konsulentit ndërkombëtar, koncesioni që iu dha “Laboratory Network” po vijon të marrë lekët e qytetarëve pa u shqetësuar.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
