Edhe ujësjellësat do të jepen me koncesion, Rama i rikthehet draftit të 2019-ës
Qeveria po bën gati projektligjin që edhe ujësjellësit të jepen me koncesion. Propozimi ishte hedhur prej kohësh për konsultim publik dhe së shpejti pritet të kalojë në Kuvend për diskutim e miratim. Edhe pse institucionet ndërkombëtare kanë paralajmëruar për rrezikun nga koncesionet, qeveria nuk tërhiqet, duke dhënë me PPP edhe një tjetër sektor jetik për qytetarët.
Një tjetër koncesion pritet që të jepet nga qeveria në vitin 2023 dhe është për ndërmarrjet e ujësjellësave.
Këshilli i Ministrave në datën 27 dhjetor ka miratuar programin e përgjithshëm analitik, ku parashikohet ndër të tjera edhe dërgimi në parlament i projektligjit për sektorin e furnizimit me ujë.
Në të parashikohet mundësia e dhënies me koncesion apo me marrëveshje të Partneritetit Publik-Privat të këtyre ndërmarrjeve.
Në draft thuhet se dhënia me koncesion e ujësjellësve do të bëhet mbi bazën e studimeve të hollësishme të fizibilitetit, duke mbajtur në konsideratë faktin që monopoli i shërbimit të furnizimit me ujë të qytetarëve të mos ndikojë negativisht në jetën dhe financat e tyre.
Për herë të parë ideja është hedhur në vitin 2019, në atë kohë qeveria e paraqiti nismën për Konsultim Publik. Tre vite pas publikimit dokumenti është vizituar nga 1072 persona, ndërsa nuk ka asnjë sugjerim apo koment.
Por kjo mesa duket ka mjaftuar që Këshilli i Ministrave të avancojë më tej me projektligjin, të cilin pritet t’ia paraqesë parlamentit në vjeshtën e vitit 2023.
Kujtojmë se Ministria e Financave në raportin mbi ecurinë e koncesioneve për vitin 2021 pranoi se dështoi në monitorimin e kontratave koncesionare.
Po ashtu edhe FMN dhe Banka Botërore janë shprehur se koncesione janë barrë për buxhetin e shtetit dhe ka nevoj për një ligj të ri, qeveria nuk ndalet në dhënie e koncesioneve të tjera.

