Buxheti familjar ushqime dhe ilaçe, eksperti: Duhet të rriten të gjitha pagat, jo vetëm ajo minimale
Pjesa më e madhe e buxhetit të një familje shqiptare shkon për ushqime, që është shpenzimi minimal i domosdoshëm për të jetuar.
Kjo edhe sipas të dhënave të fundit të Eurostat, ku sipas raportit 43.6% e totalit të të ardhurave për një familje normale shkon për ushqim.
Për ekspertin e ekonomisë, Eduart Gjokutaj, këto shifra janë pothuajse të njëjta me vitin që lamë pas, por që situata të përmirësohet duhet të ketë jo vetëm rritje të pagës minimale.
"Kjo më së pari vjen nga niveli i të ardhurave që marrin familjet shqiptare apo dhe individët. Duke qenë se të ardhurat janë përgjithësisht të karakterit të ulët dhe ne e dimë këtë që jemi larg asaj që do të duhej të bëhej në një vend me një ekonomi me më pak informalitet dhe evazion.
Nga ana tjetër, duhet të kishte një dialog ku ajo çfarë konsiderohet pjesa që përfaqësojnë punëtorët, sindikatat, marrëdhëniet e biznesit por edhe qeveria, të angazhoheshin që realisht të hynin në një dialog për një kontratë të re të marrëdhëieve të punës bazuar qoftë mbi realitetin e asaj që përfaqëson koha por edhe asaj çfarë duhet për të respektuar atë që konsideriohet punë e denjë".
Sipas Gjokutaj, ndryshimet e pagës minimale duhet të jenë një realitet i ri që familjet mund të përfitojnë një rritje të nivelit të jetesës.
Edhe në raport me rajonin, Shqipëria ka peshën me të lartë të shpenzimeve për ushqime.
Sipas raportit, 13.3% e buxhetit të familjeve shkon për shpenzime për banesën, për ujë, energji elektrike apo qiratë.
5.6% për shëndetin dhe 2.6% për arsim.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
