Kremlini: Putin ka urdhëruar armëpushim në Ukrainë për Krishtlindjet Ortodokse

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar një armëpushim në Ukrainë për Krishtlindjet Ortodokse, tha Kremlini të enjten.

Trupat ruse duhet të mos hapin zjarr për 36 orë pas orës 12:00 më 6 janar, tha Kremlini, për shkak të kësaj dite të shënuar për ortodoksët.

Shumë të krishterë ortodoksë, përfshirë ata që jetojnë në Rusi dhe Ukrainë, festojnë Krishtlindjet në 6-7 janar.

“Duke marrë parasysh apelin e Shenjtërisë së Tij Patriarkut Kirill, udhëzoj Ministrin e Mbrojtjes të Federatës Ruse të vendosë një regjim armëpushimi përgjatë gjithë linjës së kontaktit të palëve në Ukrainë nga ora 12:00 e datës 6 janar 2023 deri në orën 24:00 të datës 7 janar, 2023”, tha Putin në urdhër.

“Duke u nisur nga fakti se një numër i madh qytetarësh që shpallin Ortodoksinë jetojnë në zonat e armiqësive, ne i bëjmë thirrje palës ukrainase të shpallë një armëpushim dhe t'i lejojë ata të marrin pjesë në shërbesat në prag të Krishtlindjeve, si dhe në ditën e Krishtlindjeve”, shtoi Putin.

Patriarku Kirill i Moskës, kreu i Kishës Ortodokse Ruse, bëri thirrje të enjten që të dyja palët e luftës në Ukrainë të respektojnë një armëpushim të Krishtlindjeve, një hap i hedhur poshtë nga Kievi si një kurth cinik.

Në një deklaratë në Twitter menjëherë pas kësaj, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha se nuk mund të ketë "armëpushim të përkohshëm" derisa forcat ruse të tërhiqen nga të gjitha zonat që ata kishin pushtuar.

Ai më vonë e quajti atë një "gjest propagandistik", një "mashtrim të parëndësishëm" dhe një përpjekje nga Rusia për të bërë presion ndaj Ukrainës nga vendet evropiane duke pretenduar se ishte "humaniste".