NATO: E rrezikshme të nënvlerësosh Rusinë, s’ka tregues se Putin ka ndryshuar planet dhe qëllimet e tij
Ndërsa Perëndimi i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së Presidentit Zelenski për të ndimuar Ukrainën me automjete të blinduara, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëron se do të ishte e rrezikshme që të nënvlerësohen ambiciet e Rusisë dhe presidentit Putin për luftën që po zhvillon.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi këtë të enjte se do të ishte e rrezikshme nëse do të nënvlerësoheshin ambiciet e Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin në mes të luftës në Ukrainë.
Nga Norvegjia ku mbajti një konferencë për shtyp, Stoltenberg deklaroi se rusët kanë treguar një gatishmëri të madhe për të toleruar humbjet dhe vuajtjet. Ndërsa shtoi se NATO nuk ka asnjë tregues se presidenti Putin ka ndryshuar planet dhe qëllimet e tij në Ukrainë. Kështu që, tha ai, është e rrezikshme të nënvlerësosh Rusinë.
Por teksa luftimet e ashpra po vazhdojnë, presidenti amerikan, Joe Biden, konfirmoi se Uashingtoni po e shqyrton mundësinë e dërgimit në Ukrainë të makinave luftarake të këmbësorisë, Bradley.
Makina M2 Bradley është përdorur nga ushtria amerikane që nga viti 1981 dhe SHBA-ja ka mijëra makina të tilla në dispozicion.
Në ditët në vijim, Uashingtoni pritet të njoftojë për paketën e re të ndihmës për Ukrainën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një bisedë telefonike me homologun francez, Emmanuel Macron, u mësua se Franca zbuloi se do t’i dhurojë Ukrainës makina të blinduara të llojit AMX-10 RC.
Pavarësisht vullnetit të shprehur, për këto dërgesa nuk dihen më shumë detaje. Më herët, Australia i ka dhunuar Ukrainës 90 makina të llojit Bushmaster. Këto makina të blinduara janë kundër minave tokësore.
Kievi ka kërkuar nga qeveritë perëndimore që t’i dhurojnë makina të rënda të blinduara, veçanërisht makinat e prodhimit amerikan, Abrams, dhe tanket luftarake gjermane, Leopard.