Putin në presion nga Erdogan dhe Kisha, i kërkojnë armëpushim
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin gjendet në një valë presioni jo vetëm nga partnerët strategjikë të rusisë, por tashmë edhe të Kishës Ortodokse, të cilët i kanë shtuar kërkesat për një armëpushim me Ukrainën të paktën deri në përfundim të Krishtlindjeve Ortodokse që mbahen më 6 janar.
Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, i ka thënë homologut të tij rus Vladimir Putin, se përpjekjet për paqe në luftën Rusi-Ukrainë duhet të mbështeten nga një armëpushim i njëanshëm dhe një “vizion për një zgjidhje të drejtë” të konfliktit.
Në një njoftim zyrtar të Presidencës turke, mësohet se gjatë bisedës telefonike mes dy liderve, të dy udhëheqësit diskutuan për energjinë dhe korridorin e grurit të Detit të Zi dhe se Erdogan i tha Putinit hapat konkretë që duheshin marrë për të pastruar militantët kurdë, nga rajoni kufitar sirian.
Ndërkaq thirrje për paqen e përkohshme ka bërë edhe patriarku Kirill, i cili ka kërkuar armëpushim për Krishtlindjet Ortodokse, që nisin në 12:00 të 6 janarit dhe mbyllen 24:00 të 7 janarit.
Lajmi në fjalë është bërë i ditur nga Kisha Ortodokse serbe në faqen e saj zyrtare.
“Unë, Kirill, patriarku i Moskës dhe të gjithë Rusisë, i bëj apel të gjithë palëve të përfshirë në konflikt për armëpushim, në mënyrë që ortodoksët të mund të marrin pjesë në shërbesat në prag të Krishtlindjeve dhe në ditën e Lindjes së Krishtit”, thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse serbe.
Ndërkaq nga ana e tyre, zyrtarët ukrainas, ditët e fundit kanë paralajmëruar se Rusia po përgatitet për ofensiva të reja, teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës, po i afrohet njëvjetorit.
Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Malyar, tha se për shkak të numrit të lartë të viktimave nga luftimet intensive që po vazhdojnë, Rusia ka të ngjarë që të nisë një mobilizim të dytë ushtarak në çerekun e parë të këtij viti.