Erdogan paralajmëron një takim me Presidentin sirian për një proces të ri paqeje
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha sot se ai mund të takohet me Bashar al-Asad të Sirisë si pjesë e një procesi të ri paqeje, pasi ministrat e mbrojtjes të dy vendeve u takuan në bisedimet e nivelit më të lartë midis Ankarasë dhe qeverisë së Damaskut pas shpërthimit të luftës në Siri në vitin 2011.
Në një fjalim në Ankara, Erdogan tha se hapi tjetër, pas bisedimeve historike midis ministrave të mbrojtjes në Moskë, do të ishte një takim trepalësh i ministrave të jashtëm të Turqisë, Rusisë dhe Sirisë për të zhvilluar më tej kontaktet.
"Ne filluam një proces si Rusi-Turqi-Siri”, tha Erdogan.
“Ne do të mbledhim ministrat tanë të jashtëm dhe më pas, në varësi të zhvillimeve, do të bashkohemi si liderë".
Turqia ka qenë mbështetësi kryesor i opozitës siriane për më shumë se dhjetë vjet luftë, ndërsa Rusia ka mbështetur qeverinë siriane.
Konflikti, i cili ka vrarë qindra mijëra njerëz, ka zhvendosur miliona të tjerë dhe ka përfshirë forcat rajonale dhe globale, tani është në dekadën e tij të dytë, megjithëse luftimet janë më pak intensive se në vitet e mëparshme.
Me mbështetjen e Rusisë dhe Iranit, qeveria e Asadit ka rimarrë pjesën më të madhe të territorit sirian.
Luftëtarët e opozitës të mbështetur nga Turqia ende kontrollojnë një enklavë në veriperëndim dhe luftëtarët kurdë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara kontrollojnë gjithashtu territorin pranë kufirit me Turqinë.
Një zyrtar turk tha se ministrat e mbrojtjes turke dhe siriane u takuan në Moskë më 28 dhjeto për çështjet e migracionit dhe luftëtarëve kurdë.
Një afrim turko-sirian dukej i paimagjinueshëm më herët gjatë konfliktit dhe opozita siriane i ka bërë thirrje Turqisë të riafirmojë mbështetjen e saj.
Ankaraja u përpoq të qetësonte opozitën, me ministrin e Mbrojtjes Hulusi Akar që tha se Turqia nuk do të ndërmerrte asnjë hap që mund t'i shkaktonte probleme.

