Droni i Veriut “pushtoi” Korenë e Jugut, Seuli e pranon se droni korean-verior fluturoi mbi presidencë
Koreja e Jugut është dorëzuar para fakteve dhe ka pranuar zyrtarisht se pak ditë para ndërrimit të viteve, një dron i Koresë së Veriut, jo vetëm që ka kaluar kufirin, por ka fluturuar mbi hapësiren ajrore të zonës presidenciale.
Ushtria e Koresë së Jugut ka konfirmuar zyrtarisht se një dron luftarak i asaj të Veriut ka kaluar e zonën e ndaluar duke fluturuar rreth zyrës presidenciale. Ky është një inkursion i rrallë që ndodhi muajin e kaluar, por që ishte mohuar më herët nga zyrtarët.
Tensionet në Gadishullin Korean u rritën vitin e kaluar, teksa Koreja e Veriut kreu teste të armëve bërthamore pothuajse çdo muaj, përfshirë edhe raketën balistike ndërkontinentale më të avancuar deri më tani.
Penjani më 26 dhjetor dërgoi pesë drone në hapesirën ajrore të Koresë së Jugut. Ky ishte incidenti i parë i këtij lloji në pesë vjet, duke shtyrë Seulin që të kundërpërgjigjej duke ngritur në qiell avionët luftarakë.
Ushtria e Koresë së Jugut kërkoi falje aso kohe, pasi dështoi që të rrëzonte dronet, pavarësisht se zhvilloi një operacion prej pesë orësh. Ushtria koreano-jugore u justifikua se dronet “ishin shumë të vegjël”, prandaj nuk mundi që t’i rrëzonte ato.
Ushtria jugkoreane vazhdimisht i ka mohuar raportimet se dronet kishin hyrë në zonën kyçe të ndalim-fluturimit, të njohur si P-73, që përfshin qiejt mbi zyrën presidenciale të Koresë së Jugut.
Një zyrtar i ushtrise tha se hetimi ka zbuluar se “një dron i armikut” ka kaluar mbi pjesën veriore të saj.
Megjithatë, javën e kaluar, ushtria jugkoreane tha se Veriu “nuk ka arritur të marrë informacione të rëndësishme” përmes inkursionit me drone.
Gjatë vitit 2022, Koreja e Veriut raportohet se ka testuar mbi 70 raketa luftarake përfshirë atë edhe mbi Japoni.