Bilisht, Inspektoriati i Punës pezullon punën në fasonerinë që shkarkoi kryesindikalisten
Inspektoriati i Punës në Korçë ka pezulluar punën në fasonerinë në Bilisht, shkak është bërë protesta e grave dhe vajzave që punojnë atje si pasojë e shkarkimit të kryesindikalistes. Punonjësit në ditën e dytë të protestës thanë se do ta vijojnë aksionin e tyre deri në kthimin në punë të kryetares së sindikatës, dhe zgjidhjen e disa problemeve me pagat.
Inspektoriati i Punës ka pezulluar punën në një fasoneri në Bilisht pas protestës dy ditore të grave dhe vajzave atje.
Shkak për pezullimin e aktivitetit të fasonerisë është bërë shkarkimi i kryetares së sindikatës Mira Mullai.
Një përfqësues i inspektoriatit të punës tha se do të takojë dhe të bisedojë me të gjitha palët për tu njohur hollësisht me problematikat.
“Ndaj subjektit është marrë masë urgjente me pezullim të aktivitetit pasi subjekti ka penguar lirinë sindikale të punëmarrësit. Inspektoriati i punës është prezent dhe i angazhuar në zgjidhjen e këtij problemi”
Punonjëset të cilat bojkotuan punën për të dytën ditë me radhë thanë se nuk do ta ndalin protestën deri në kthimin në punë të kryesindikalistes.
"Protesta do të vazhdojë nëse nuk kthehemi të gjitha nuk do hyjë asnjëra në punë. Më mirë se ne që jemi atje nuk e di asnjë.Për punëtoret e pasiguruara do ta tregojë koha. Paga është ulur nga minimumi" thotë Mira Mullai, kryetarja e sindikatës së punëtoreve të kësaj fasonerie.
Një ditë më parë pronari i fasonerisë Fatjon Shega pretendon se ka qenë korrekt me punonjësit ndërsa largimin i Mullait ka ardhur konform Kodit të Punës.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
