Incineratorët/ Apeli i GJKKO lë në burg ish-ministrin Lefter Koka
Apeli i GJKKO-së lë në burg ish-ministrin Lefter Koka, i cili kishte kërkuar ndryshimin e masës së caktuar më herët ndaj tij nga Gjykata e Posaçme e cila ka vendosur që Koka të hetohet ende nën masën “Arrest me burg” lidhur me dosjen e incineratorëve.
Kujtojmë se Koka është njëri prej disa zyrtarëve të akuzuar për “shpërdorim detyre”. Për këtë çështje kujtojmë se po hetohet edhe deputeti socialist Alqi Bllako.
Nga ana e saj, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka shtuar akuza të reja për ish-ministrin e Koka dhe ish-vartësin e tij, Alqi Bllako, që tashmë ndodhen të dy pas hekurave për aferën e inceneratorëve.
SPAK ka lëshuar 11 urdhër-arreste të tjera, ku për 10 prej tyre është caktuar masa ‘arrest me burg’ dhe një në ‘arrest shtëpie’, ka ngarkuar ndaj Kokës dhe Bllakos akuza të reja shtesë për inceneratorin e Fierit.
NJOFTIMI I GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më datë 05.01.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 10/214 akti, datë 28.12.2022 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim L.K., ndaj vendimit nr. 297 akti, datë 25.11.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt “Zëvendësimi i masës së sigurimit personal” dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 297 akti, datë 25.11.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
