Në burg për mashtrim, avokati: Viola Sterjo s’i mohon lidhjet me personat që e kanë paditur, akuzat janë të pabaza

Gjykata e Korçës vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Drejtoreshën e Mjedisit në Bashkinë Tiranë Viola Sterjo, e cila u arrestua tre ditë më parë për mashtrim.

Në përfundim të seancës avokati i Viola Sterjo, Nevzat Tarelli u shpreh se duhen hetime të thelluara pasi klientja e tij jep versione të cilat në rast se verifikohen hedhin poshtë akuzat për veprën penale të mashtrimit.

“Gjatë seancës e pandehura nuk mohon ekzistencën e marrëdhënies me personat të cilët kanë ngritur kallëzim kundër saj.

Një marrëdhënie juridike civile, teksa klientja ime ka marrë përsipër përgatitjen e dokumentacioneve të nevojshme për aplikimin për grande që qeveria shqiptare, apo organizata të huaja japin për shtetas shqiptarë që investojnë në fushën e turizmit.

Viola Sterjo ka qenë e punësuar part - time në disa studio si konsulente, ka hyrë në këto marrëdhënie me qytetarët. Ajo ka përgatitur dhjetëra dokumentacione dhe dosje për këto aplikime të cilat nuk janë finalizuar.

Kjo ka krijuar dhe lodhjen e qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndërprerjen e marrëdhënieve juridiko - civile dhe kthimin e pagesave.

Ka pasur marrëdhënie komunikimi me këta qytetarë të cilëve u është komunikuar se ka pasur investime monetare për përgatitjen e dokumentacioneve.

Viola Sterjo nuk ka pranuar kthimin e shumës monetare ndaj këta qytetarë i janë drejtuar prokurorisë.

Duhen hetime të thelluara pasi e mbrojtura prej meje jep versione të cilat në rast se verifikohen hedhin poshtë veprën penale të mashtrimit, dhe mund të kalohet më pas ne një vendim që mund të zgjidhet në gjykatën civile.

Ne kemi kërkuar sot që t’i jepet mundësia që të grumbullojë gjithë dokumentacionin e nevojshëm që ka pasur. Lënia në burg ia heq këtë mundësi se nuk mund ta sigurojë këtë dokumentacion.

Kam insistuar për një masë tjetër, pasi ajo ka treguar bashkëpunim të plotë për të zbardhur marrëdhënien e saj me këta qytetarë.

Bëhet fjalë për një grua me 2 fëmijë, e evidentuar me probleme shëndetësore, por gjykata vendosi lënien arrest me burg”, u shpreh avokati i Viola Sterjos, Nevzat Tarelli.