Arrestimi me 58 kg drogë i specialistes së AKSHI-t, Blushi: Shteti lakuriq para sulmeve, ka trafikantë droge si punonjës

Specialistja e AKSHI-t Erisa Fero është arrestuar nga policia e Korçës pasi në bagazhin e makinës me të cilën po lëviste u gjetën 58 kg hashash.

Për këtë ka reaguar dhe sekretari i PL-së Tedi Blushi.

Sipas tij kjo është dëshmi se në dorë të kujt janë të dhënat e shqiptarëve.

Në duar të trafikantëve të drogës dhe patronazhistëve Edi Rama mund ta kishte të lehtë t’i dorëzonte të dhënat e shqiptarëve në duart e patronazhistëve, për t'u bërë presion qytetarëve në zgjedhje, tha ai.

"Përfshirja e një punonjëse të AKSHI-t në trafikun ndërkombëtar të drogës, e denoncuar më herët edhe për implikim në vjedhje të votave për llogari të “Rilindjes” është treguesi më i qartë se kujt ia ka besuar Edi Rama të dhënat personale të shqiptarëve dhe sigurinë kombëtare.

Vetëm nëpërmjet punësimit të trafikantëve të drogës dhe vjedhësve të votave, Edi Rama mund ta kishte të lehtë t’i dorëzonte të dhënat e shqiptarëve në duart e patronazhistëve, për t'u bërë presion qytetarëve në zgjedhje!

Kjo është edhe arsyeja pse shteti është nxjerrë lakuriq para sulmeve kibernetike nga vende jo mike sepse sigurinë kombëtare Edi Rama e mbron me trafikantë droge," tha ai.