S'ka masa shtesë kundër Covid

Ndërkohë që Kina përjeton një valë tjetër të përhapjes së Covid dhe në Itali janë marrë masa kundër këtij virusi, në Shqipëri nuk shihet i nevojshëm asnjë ndryshim.

Epidemiologu, Artan Simaku, thotë se aktualisht në vendin tonë po qarkullon masivisht gripi, i cili po dominon mbi Covidin.

Ndaj dhe për qytetarët këshillojnë ruajtjen e distancës, mbajtjen e maskës dhe vaksinimin.

"Situata aktuale epidemiologjike në lidhje me Covidin nuk sugjeron për masa kufizuese shtesë. Duhet të zbatohen vetëm tre masa të thjeshta. Evitimi i grumbullimeve, nëse nuk evitohen dot mirë është të mbahet maska në ambjentet e mbyllura. Asnjëherë nuk është vonë për vaksinimin, vaksinimi është kryefjala".

Megjithëse është koha e ardhjes së emigrantëve në Shqipëri, as në pikat hyrëse nuk do të ketë masa siç po ndodh në Itali.

"Për kontinentin europian nuk ka indikacion por as sugjerim nga OBSH për kontrollin në pikat hyrëse, flasim për gjithë kontentin europian. Megjithatë në Itali është vënë re se shumë prej  shtetasve kinezë që kanë hyrë në Milano kanë rezultuar pozitiv."

Aktualisht në vendin tonë 175 persona janë të prekur me Covid, ndërsa rastet ditore janë të ulëta prej disa javësh.

Referuar shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë, rritjet vihen re në testimet ditore.

Në 24 orët e fundit janë kryer 575 testime dhe 25 kanë rezultuar pozitive.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.