I plasi bombula e gazit dhe i dogji shtëpinë, 66-vjeçarja në Vlorë apelon për ndihmë

Shpërthimi i bombolës së gazit desh i mori jetën një 66-vjeçareje në Vlorë, por pasi ka shpëtuar ajo apelon për ndihmë. Banesa është shkatërruar nga zjarri që i shkrumboi edhe paratë e pensionit, duke e lënë pa kursime me një djalë invlid në shtëpi, në prag të ndërrimit të viteve.

Shpërthimi i bombolës së gazit rrezikoi jetën e 66 vjeçares Tefta Selimllari. Edhe pse i shpëtoi ngjarjes së rëndë, banesa e saj në Vlorë ka pësuar dëmtime serioze.

Kuzhina është djegur thuajse e tëra.

Fqinjët e kanë ndihmuar nënën ti shpëtojë incidentit.

 “E nxorëm pa ndjenja, në gjendje shoku. E ulëm aty deri sa erdhi ndihma e shpejtë,” thanë ata.

Bashkë me pajisjet elektroshtëpiake, janë djegur edhe paratë e pensionit të saj, të cilat sapo i kishte tërhequr.

Me një djalë invalid, e dy të tjerë në burg në shtetin fqinj, e moshuara kërkon ndihmë që ajo dhe djali i saj të mos e kenë tryezën bosh natën e ndërrimit të vitëve.

“Çe dua jetën, ç'e dua jetën? Të ardhura s’kam. Me një pension, me pensionin tim shtyhem, dhe ato që mora më ngelën aty, u dogjën,” tha ajo.

Apeli i saj shkon për këdo që ka mundësi ti gjendet pranë, por edhe për kryetarin e Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, që të kthejë sytë nga e moshuara.

“ Meqë ka nënë vetë, ai ta hajë Vitin e Ri dhe ta gëzoj, të mendojë dhe për mua,” tha ajo.