"Gjeli po na ha para se ta hamë" Fermerët e Peqinit e kanë të vështirë t’i mbarështojnë, ulen blerësit
Fermerët e Peqinit e kanë rritur edhe më shumë çmimin e gjelit të detit në këto ditë të fundit të vitit. Diçka e tillë është reflektuar në uljen e numrit të blerësve, të cilët e kanë të pamundur që ta blejnë me 1300 lekë për kilogram. Por fermerët thonë se janë të detyruar të rrisin çmimin për shkak se janë shtuar kostot për të rritur gjela.
Në bashkinë e Peqinit në ditën e fundit të tregut të gjelit të detit në fshatin Bishqem, çmimi arriti në 1300 lekë për kg, ndërsa për pulat e detit (rikat) si asnjëherë më parë çmimi për kg shkoi në 1500 lekë.
Teksa çmimi i gjelit të detit është rritur, numri i fermerëve që e rrisin është pakësuar pasi ata thonë se shpendin e festës e shtrenjtoi rritja e bazës ushqimore dhe kostot e shumta që ka rritja e tyre.
Në treg numri i fermerëve që e shesin është dukshëm më i ulët se një vit më parë. Edhe ata të paktë që kanë mbetur, thonë se është viti i fundit që e mbashtrjonë dhe rrisin këtë shpend.
“Me zor po i rrisim. Sa ka vajtur misri? Ka vajtur me 6 mijë lekë kg i misrit. Ju duket shtrenjtë kur e merni, po të mendosh koston e çdo dite që i kemi në shtëpi.
Kur nuk ka konsumator normal drejtë falimentimit po shkon. Spo ecën asnjëgjë, as vaji i ullirit, as pularia, as bereqeti, çdo gjë në rënie,” thanë ata.
Pjesa më e madhe e qytetarëve kalojnë vetëm për të pyetur, pasi me çmimet që kanë gjelat këtë vit, nuk i marrin dot.
“Çmimet janë rritur në mënyrë skandaloze. Këta dy gjela, më kanë shkuar rreth 16 mijë lekë.
Shumë i lartë dhe për mua që jam pensioniste, tepër i lartë. Aaa gjel Peqini, po më ha gjeli i Peqinit para se ta ha,” thanë ata.
Gjeli i detit të Peqinit, njihet për shijen karakteristike dhe cilësinë e mirë, por për shkak të çmimit të lartë të shitjes dhe krizës ekonomike do të mungojë në shumë familje në natën festive të fundvitit.