Politikani izraelit sugjeron ligjin: Mjekët mund të refuzojnë trajtimin e pacientëve homoseksualë
Një sugjerim i një prej ministrave të ardhshëm të Benjamin Netanyahut se mjekët izraelitë duhet të lejohen të refuzojnë trajtimin e pacientëve LGBTQ për arsye fetare ka rritur frikën se qeveria e re përbën një kërcënim të paprecedentë për të drejtat e homoseksualëve.
Presidenti izraelit, Isaac Herzog, ka dënuar retorikën në rritje anti-LGBTQ, duke thënë se deklaratat raciste të ditëve të fundit kundër komunitetit LGBTQ dhe sektorëve të tjerë të publikut janë jashtëzakonisht për tu shqetësuar.
Presidenti, posti i të cilit është kryesisht ceremonial, por që zotëron një shkallë autoriteti, shtoi se një retorikë e tillë minonte vlerat demokratike dhe morale izraelite.
Netanyahu – i cili i quajti komentet “të papranueshme” – mohon se qeveria e tij e re do të përbëjë një kërcënim për të drejtat e homoseksualëve.
Por kritikët thonë se ai është shumë i dobët për të kontrolluar partnerët e tij ultra nacionalistë dhe ultra-ortodoksë të koalicionit.
Në një intervistë radiofonike të dielën, ministri i ardhshëm i misioneve kombëtare, Orit Strook, i Partisë Fetare Sioniste, la të kuptohej se mjekët izraelitë do të ishin në gjendje të refuzonin trajtimin për pacientët LGBTQ në frymën e legjislacionit që partia e saj po harton.
Strook specifikoi se një mjek mund të refuzojë kujdesin për një pacient nëse kjo gjë shkel bindjet e tij fetare për sa kohë që ka mjaft mjekë të tjerë që mund ta ofrojnë këtë shërbim.
Partia e Strook po avancon një amendament për një ligj kundër diskriminimit që lejon përjashtime për ofruesit e shërbimeve ku bindjet fetare të ofruesit do të shkeleshin. Ky parim është specifikuar edhe në marrëveshjen e koalicionit të Netanyahut me partinë ultra-ortodokse të Tora Judaizmit.
Një tjetër ligjvënës fetar sionist, Simcha Rothman, tha të dielën se sipas ndryshimit, pronarët e hoteleve do të mund të refuzonin dhoma për grupet e homoseksualëve.
Ndryshimet në ligj, nëse materializohen, pritet të ndikojnë gjithashtu tek qytetarët e pakicës arabe të Izraelit dhe të hapin rrugën për ndërhyrje të mëtejshme nga fundamentalistët hebrenj të Sionizmit Fetar, të cilët gjithashtu mbështesin aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar.
Netanyahu përsëriti një zotim se qeveria e tij nuk do të dëmtonte komunitetin LGBTQ, por në mënyrë të qartë, anëtarët e partisë së tij përjashtuan ndryshimin e marrëveshjes me aleatët.
