Dhunimi i varrit të Mid'hat Frashërit, Demalia: Talibanizëm dhe urrejtje ndaj kulturës shqiptare
Analisti Ilir Demalia ka komentuar dhunimin e varrin dhe bustin të diplomatit, shkrimtarit dhe politikanit shqiptar Mid'hat Frashërit nga njerëz të panjohur.
Demalia shkruan se dhunimi i varreve dhe kufomave nuk është veprim dhe sjellje e botës së civilizuar, dhe se konsiderohet talibanizëm.
Ai shton se sot media në vend që të merrej me këtë akt barbar të shkatërrimit të varrit të një prej figurave më elitare të politikës, kulturës e gjuhës merrej me tallavanë politike dhe festival tallavanë.
Demalia: Dje është dhunuar varri dhe busti Mid'hat Frashërit. Dhunimi i varreve dhe kufomave nuk është veprim dhe sjellje e botës së civilizuar. Në të kundërt është veprim dhe sjellje e talibanizmit. Historia botërore që nga lashtësia ka ndëshkuar dhunimin e kufomës dhe varreve qofshin dhe të "armikut". Akili u ndëshkua nga Zeusi, në pikën e tij më të fortë, pikërisht se dhunojë kufomën e Hektorit. Ne historinë e luftërave dhe kodin e luftërave vrasja apo dhunimi i atyre që kapen si "rob lufte" është i dënueshëm me ligjet ndërkombëtare dhe kodet e luftës.
Varret e kundërshtarëve edhe pse janë në vëndet respektive nuk preken, në të kundërt ruhen dhe mirëmbahen. Sot media në vend që të merrej me këtë akt barbar të shkatërrimit të varrit të një prej figurave më elitare të politikës dhe kulturës, gjuhes së historisë shqiptare, merrej me tallavan politike dhe festival tallavanë nga ku ushqehen dhe ushqejnë këtë primitivizëm politik dhe kulturor. Eshtë dhunuar me parë varri dhe busti i "enciklopedisë shëtitëse" dhe latuesit të gjuhës shqipe dhe flamurtarit te pavarsise, aristokratit te salloneve të letrave dhe kulturës europiane Faik Konica.
Komunistet po ashtu shkatërruan varrin dhe i hodhën eshtrat në lumë Kryetarit te Komisisë Letrare të Kongresit të Manastirit, Poetit Kombëtar, Viganit të Verirut At Gjergj Fishta. E gjithë kjo është një talibanizëm dhe një urrejtje ndaj kulturës, vlerave të përfaqsimit oksidental dhe civilizimit Europian, nga talibanizmi shqiptarëve Dum Babën. Shoqëria shqiptare nuk ka as imiunitet për të përballuar të keqen dhe as antikorpe për ta luftuar. Kjo është arsyeja që shoqëria shqiptare është në një rënie të lirë drejtë humnerave të tallavasë politike, kulturore dhe mediatike.

