Blushi: Kryehajduti i Tiranës s’e mbulon me zift aferën e zezë të incineratorit
Partia e Lirisë ka shpërthyer në akuza të forta ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me tenderin prej 1 miliardë lekësh për arrnime rrugësh në kryeqytet.

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së Tedi Blushi teksa referon pamjet e denoncuara në kronikat e “Ora Neës” për gjendjen e rrugëve të Tiranës, akuzon Veliajn se po tenton të pastrojë me ziftin elektoral fytyrën e tij si hajduti dhe armiku më i zi dhe më madh i Tiranës dhe i qytetarëve të saj.

“Kryehajduti i Tiranës nuk mund të zbardhë faqen me ziftin e fushatës!
Në prag të dorëzimit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po tenton të pastrojë me ziftin elektoral fytyrën e tij si hajduti dhe armiku më i zi dhe më madh i Tiranës dhe i qytetarëve të saj.

Pasi nuk i mjaftuan dy mandate, Kryetari në detyrë i Bashkisë, pesë muaj para se të dalë nga zyra, ka shpallur tenderin 1 miliard lekë për shtrimin e rrugëve që la rrugëve për 8 vite në 11 Njësitë Administrative.
Zifti që Erion Veliaj do të hedhë në rrugët e Tiranës mund të mbulojë përkohësisht gropat por jo aferën e tij të zezë të inceneratorit ku është i zhytyr kokë e këmbë, përfshirjen në pastrimin e parave në kullat shumëkatëshe, betonizimin dhe shkatërrimin e hapësirave publike, deri dhe tek renditjen e Tiranës në kryeqytetin e parë në Europë për papastërtinë, ajrin më të ndotur dhe koston më të lartë të jetesës. Më 14 Maj koha për Ndëshkim dhe Llogaridhënie!”, deklaron Sekretari i Përgjithshëm i PL-së Tedi Blushi.