Pas Isa Tares, SPAK pyet edhe ish drejtorin Tola për privatizimin e kompleksit "Partizani"
SPAK po kryen veprime të përditshme me dosjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”. Pas dëshmisë së ish-drejtorit një ditë më parë, zyrtari tjetër që është marrë në pyetje ka qenë Afrim Tola, ish-shef i klubit. Deri më tani për këtë çështje janë thirrur zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Partisë Demokratike, ndërsa në kallëzimin e bërë nga Taulant Balla është kërkuar edhe marrja e në pyetje e Sali Berishës.
Një tjetër ish-zyrtar i klubit Partizani kaloi të enjten pragun e Prokurorisë së Posaçme për ty pyetur nga hetuesit e SPAK për provatizimin e kompleksit.
Afrim Tola, ish-shef i klubit, është dëshmitari i radhës që shpjegoi pozicionin dhe dijeninë e tij para prokurorëve një ditë pas pyetjes së ish-drejtorit të klubit "Partizani" Isa Tare.
Marrja në pyetje e Tolës është kryer në kunadër të hetimeve që SPAK ka hapur pas kallëzimit të numrit 2 të Partisë Socialiste Taulant Balla.
Deri më tani prokuroria ka administruar dëshminë e dy ish-ministrave të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe Gazmend Oketa.
Po ashtu në Prokurorinë e Posaçme janë thirrur edhe ish-drejtuesi i Komandës së Mbështetjes Logjistike të Forcave të Armatosura, Vladimir Qirjazi si dhe ish-ministrin e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli.
Në kallëzimin e Ballës kërkohet që në pyetje për privatizimin të merren edhe ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi si dhe ish-ministri tjetër i Mbrojtjes, Arben Imami.
Privatizimi i ish-kompleksit "Partizani" filloi në vitin 2008 dhe përfundoi katër vite më vonë, në vitin 2012, ndërkohë që vitet e fundit është kthyer në një prej argumenteve kryesore të akuzave të eksponentëve të mazhorancës ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha dhe qeverisjes së tij.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
