"Shefi" kap 2300 kg drogë nga Shqipëria drejt Italisë, 14 të arrestuar mes tyre 5 shqiptarë
Policia italiane ka arresuar 14 persona mes të cilëve pesë shqiptarë, si pjesë e grupit kriminal që nga 2016 ka trafikuar 2300 kilogramë drogë nga vendi ynë. Grupi është goditur edhe më herët në vitin 2018 në kuadër të operacionit "Shefi", ndërkohë që ngarkesat me kanabis niseshin nga zona e Orikumit. Në total policia italiane i ka kapur rrjetit sasi lëndësh narkotike me vlerë 15 milionë euro. Operacioni e ka marrë emrin "Shefi" për shkak të lidhjeve të trafikantëve me organet e policisë në Shqipëri.
Antimafia italiane ka goditur një linjë të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, duke kryer 14 arrestime. Operacioni është koduar me emrin “Shefi” dhe është kryer në disa faza duke nisur nga viti 2018 e në vazhdim.
Mediat e vendit fqinj shkruajnë se në pranga kanë përfunduar nëntë shtetas italianë dhe pesë shqiptarë. Hetimet, të cilat filluan në maj 2016, çuan në sekuestrimin e një sasie totale mbi 2300 kilogramë drogë, përfshirë marijuanë, kokainë dhe heroinë, nga e cila kriminelët do t'i kishin fituar mbi 15 milionë euro, nëse droga do të shitej në treg.
Në një prej episodeve të operacionit, hetuesit gjetën shtatë milionë doza të vetme që mund të merreshin nga pikat e shitjes me pakicë.
Në Shqipëri me organizata kriminale vepronte me prodhimin, paketimin, klasifikimin dhe transferimin e drogës për në Itali, ku bëhej më pas shitja e saj në treg. Zbarkimi i ngarkesave të nisura nga Shqipëria, bëhej në bashkëpunim me organizatat kriminale Pulieze dhe lënda narkotike vendosej në depot e rrjetit kriminal në Bari, për tu transpotuar më pas në thellësi të teritorit Italian.
Hetimet e kryera me ndihmën e përgjimeve telefonike, përgjimeve ambientale dhe vëzhgimeve mundësuan kapjen e dy korrierëve shqiptarë me një ton drogë, një korrier italian me mbi një mijë kilogram mariuanë, 8 kilogramë drogë në Raguza dhe identifikuan një depozitë në Mola di Bari me mbi pesëdhjetë kilogramë drogë, përfshirë një bllok kokainë të pastër.
Në vitin 2018 autoritetet shqiptare dhe italiane bënë publike detaje nga faza e parë e operacionit ku u prangosën 43 persona në dy vendet.
Kreu i antimafias së rajonit të Pulias, Ettore Cardinali sqaroi emrin e operacionit të koduar “Shefi” duke theksuar se hetimet kanë përfshirë persona në nivele të larta në radhët e policisë.
