Korrupsioni shqetëson bizneset, problem edhe mungesa e fuqisë punëtore

Korrupsioni dhe informaliteti i lartë si dhe mugesa e krahut të punës, janë problemet kryesore që shqetësojnë biznesin, sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë. Në indeksin e biznesit për vitet 2021-2022, nënvizohen si shqetësime për sipërmarrjen edhe niveli i lartë i taksave, konkurrenca e pandershme dhe burokracitë e qeverisë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi indeksin e klimës së Biznesit për vitin 2021-2022.

Në dokument evidentohet si shqetësim kryesor i sipërmarrjeve gjetja e personalit vendas të kualifikuar të fuqisë punëtore dhe si shkak shikohet emigrimi masiv i qytetarëve që po largohen nga vendi.

Krahas mungesës së fuqisë punëtore, problematikat më të mëdha të biznesit lidhen me monopolin dhe konkurrencën e pandershme, nivelin e lartë të informalitetit të ekonomisë, burokracitë e qeverisë dhe korrupsionin.

Dhoma Amerikane e Tregtisë thekson nevojën urgjente për të luftuar korrupsionin, monopolet, pabarazinë dhe konkurrencën e pandershme dhe ekonominë informale në partneritet midis autoriteteve publike dhe sektorit privat, duke vendosur zgjidhje afatgjata për një klimë të re dhe të qëndrueshme biznesi.

Në dokument ngrihet shqetësimi i nivelit të lartë të taksave të aplikuara, duke theksuar se ky ka qenë një nga shqetësimet kryesore të biznesve që ka qenë edhe gjatë periudhës 2015-2017.

Të anketuarit gjithashtu kanë shprehur rezervë edhe për politikat dhe shërbimet bankare, dhe për sigurinë e financimit për zhvillimin e biznesit.

Ndër shqetësimet më të ulëta në biznesit në indeksin e fundit renditet sigurimi i energjisë, marrëdhëniet me doganat dhe me tatimet.

Vëzhgimi është bërë me 230 anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë, që janë sipërmarrje të shumëlllojshme, që përfaqësojnë komunitetin më të madh të biznesit në Shqipëri.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.