Ankohet një tjetër tender pa garë, blerja e stendave për 4 spitalet e vendit shkon për verifikim

Një nga 4 tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e materialeve për 4 spitale të vendit, ka përfunduar në Komisionin e Prokurimeve Publike. Sipas denoncimit, një nga kompanitë pjesëmarrëse pretendon se është skualifikuar padrejtësisht nga gara. 

Pas denoncimit të Ora News, një nga 4 tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë që kishin si qëllim blerjen e materialeve të mjekimit për sistemin e qarkullimit të gjakut, ka përfunduar në Komisionin e Prokurimeve Publike.

Konkretisht bëhet fjalë për lotin 6 që ka si objekt blerjen e stendave që përdoren për të trajtuar arteriet e ngushta ose të dobëta.

Në prokurimin me vlerë 103 milionë lekë, ose rreth 891 mijë euro, morën pjesë 4 subjekte, 3 prej të cilëve janë skualifikuar duke mbetur në garë vetëm bashkimi i operatorëve “MONTAL” dhe “O.E.S DISTRIMED” që është shpallur edhe fitues.

Sipas dokumenteve zyrtare, një nga pjesëmarrësit, “GP Medical”, e cila kishte dhe ofertën më të mirë me 77 mijë euro më pak se oferta fituese, pretendon se është skualifikuar padrejtësisht nga gara duke e denoncuar tenderin në KPP.

Në ankesë, ndër të tjera thuhet se kompania fituese për të njëjtin artikull ka paraqitur produkte nga dy prodhues të ndryshëm dhe që bie ndesh me ligjin e prokurimeve publike. 

Kujtojmë që 4 prokurimet kanë si qëllim blerjen materialeve të mjekimit për QSUT, Sanatoriumin, Spitalin e Shkodrës dhe atë të Fierit, ndërsa vlera totale shkon në 5.4 milionë euro.

Gjithashtu në të katër prokurimet është shpallur fituese e njëjta kompani, e cila përbëhet nga bashkimi i operatorëve “MONTAL” dhe “O.E.S DISTRIMED”.

Po ashtu kompania fituese ka kërkuar sa 99.9% të vlerës së tenderit për të blerë pajisjet.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.