FMN në alarm për koncesionet: Kontrata të dyshimta, asnjë transparencë

Fondi Monetar Ndërkombëtar, përserit alarmin për PPP e shumta të qeverisë. Kontratat koncesionare kanë nivel të lartë rreziku në ekonominë shqiptare, pasi vazhdojnë të hartohen jashtë procesit buxhetor, thotë Organizmi Financiar Ndërkombëtar.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur alarmin për kontratat koncensionare, pasi sipas tyre kanë nivel të lartë rreziku në ekonominë shqiptare dhe kryesisht në stabilitetin fiskal.

Në deklaratën e Bordit të Drejtorëve të FMN, thuhet se projektet e keq-hartuara të PPP-ve për investime në infrastrukturë, mund të pengojnë efikasitetin e investimeve publike dhe të bëhen shkak për të krijuar detyrime të mëdha, të cilat mund të dëmtojnë qëndrueshmërinë e borxhit.

FMN shprehet se asnjë ndryshim domethënës nuk është bërë në kuadrin ligjor, mbi PPP-të. Këto kontrata ishin sa 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2022, por vlerat e projekteve ekzistuese dhe atyre në proces, vazhdojnë të hartohen jashtë procesit buxhetor.


FMN i bën thirrje qeverisë që të dyfishojë përpjekjet për të forcuar kapacitetin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që të ketë një rol më efikas në përzgjedhjen e projekteve dhe që të vlerësojë dhe monitorojë kontratat.

Ndërkohë Ministria e Financave në raportin e përvitshëm të koncesioneve ,u shpreh se situata kishte dalë nga kontrolli dhe për shumicën e kontratave, nuk kishte asnjë informacion. Edhe për kontratat që u raportua informacion, ai ishte shumë i cunguar dhe nuk tregoi në asnjë rast se si po ecën zbatimi i tyre.

Pavarësisht paralajmërimeve të FMN, qeveria vijon të shtojë PPP-të. Më i fundit u prezantua ditën e hënë, 12 dhjetor, dhe është për Portin e ri të Durrësit, i cili do të kushtojë 390 milionë euro, ku 46% do të financohet nga buxheti i shtetit, dhe 54% do të investohet nga privatë.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.