U dënua për korrupsion/ Gjyqtarja e Apelit: Më vjen keq për ta! Familja ime do ta gjejë një zgjidhje, po gjyqësori ka mbaruar
Ish-gjyqtarja e Apelit të Korçës, Mimoza Margjeka, u dënua me 4 vite e 6 muaj burg për korrupsion nga kolegët e saj të Gjykatës së Posaçme. Dënimi i saj lidhet me një ryshfet të dyshuar në vlerën e 6 mijë eurove. Masa me burg u konvertua në shërbim prove për 3 vite, ndërkohë që bashkëshortin e saj Gjykata e mbylli në qeli për 4 vite. Pas vendimit Margjeka hodhi poshtë akuzat ndaj saj dhe adresoi kritika ndaj SPAK-ut për hetime të njëanshme.
Gjykata e Posaçme dënoi me 4 vite e 6 muaj burg gjyqtaren Mimoza Margjekaj, e akuzuar për korrupsion.
Katër vite burg u dhanë edhe për bashkëshortin e saj, Arben Cara.
Me nga 3 vite burg janë dënuar edhe të pandehurit tjerë Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, ndërsa me 1.2 vjet heqje lirie u dënua Nejton Bali.
Sipas SPAK ata i kanë dhënë gjyqtares një shumë prej 6 mijë euro me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, vëllait të Nejton Balit i arrestuar nga Prokuroria e Pogradecit, për kalim të paligjshëm të kufijve, ndryshim që më pas ndodhi efektivisht nga Apeli i Korçës.
Gjyqtarja Margjeka pas vendimit hodhi akuza të rënda në drejtim të SPAK, duke theksuar se e ka humbur shpresën tek institucionet e drejtësisë.
Margjeka: Unë jam gjyqtare, e di ligjin. E di që këta njerëz sot kanë qenë të presionuar dhe të porositur. Më vjen keq për ta. Për mua, familja ime do ta gjejë zgjidhjen, nuk u përmbys bota. Nuk e kam pas me pasion të madh më, se gjyqësori mbaroi që ta dini ju për veten tuaj.
Në vendimin e shpallur Gjykata lehtësoi pozitën e ish-zyrtares së drejtësisë, e cila përfiton konvertimin e dënimit në 3 vite shërbim prove, duke shmangur kështu qëndrimin e mëtejshëm në qeli.
Ndaj saj u urdhërua edhe përjashtimi nga funksionet publike për 5 vite.
Dënimi u pezullua edhe për Nejton Balin dhe avokatin Skënder Demiraj, të cilët do të kryejnë 3 vite shërbim prove.
Togat e zeza refuzuan pezullimin e dënimit me burg për bashkëshortin e gjyqtares, Arben Cara si dhe të pandehurin Klaudio Zhilla.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
