Kushte për paratë e bashkive. Në fund të vitit fondet të kalojnë për të paguar borxhet
Detyrimet e prapambetura të bashkive kanë vënë në alarm edhe qeverinë. Tashmë është propozuar ndryshimi I ligjit duke u kërkuar që fondet e pa shpenzuara në fund të vitit të shkojnë për shlyerjen e detyrimeve.
Qeveria do të vërë para përgjegjësisë vetë bashkitë për të shlyer borxhet që kanë mbledhur në vite përmes kredive apo formave të tjera.
Duke nisur nga viti i ardhshëm duket se do të ketë më pak mbështetje nga qeveria me fonde për pushtetin vendor, ndaj dhe në parlament do të paraqitet ndryshimi i ligjit për financat vendore.
Në të përcaktohet se të paktën 30 për qind e fondeve që nuk janë shpenzuar gjatë vitit, në mbyllje të tij do të kalojnë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura apo dhe pagimin e nënhuave të papaguara në kohë.
Në relacionin e paraqitur se bashku me draftin e propozuar prej ministres së financave Delina Ibrahimaj, pranohet edhe vështirësia financiare në të cilën gjenden bashkitë.
Ndërkaq vetëm pak muaj më parë u bë e ditur se janë më shumë se 7 miliardë lekë që rëndojnë mbi buxhetet e këtyre institucionee teksa vështirësi hasen edhe me të ardhurat.
Për këtë shkak në analizën e bërë prej qeverisë dy bashki u vendosën me shenjë të kuqe, në rrezik për tu administruar nga qeveria dhe disa të tjera u kërkua të ristrukturonin buxhetin. Megjithatë një hap i till ende nuk është marrë prej Këshillit të Ministrave.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
