Fondi Shqiptar i Zhvillimit jep 1.6 mln € pa garë për rikonstruksionin e hapësirave në fshatrat turistikë

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shënuar prokurimin e radhës të konsideruar pa garë.

Institucioni që drejtohet nga Dritan Agolli, do të shpenzojë 187 milionë lekë, ose 1.6 milionë euro për rikonstruksionin e hapësirave publike, ambienteve dhe hapësirave për çlodhje në fshatrat Vermosh, Lepush, Curraj i Eperm, Shishtavec, Radomir dhe Rabdish.

Por në të ka marrë pjesë vetëm bashkimi i operatorëve “NDERTUESI 2014” dhe “NIKA” dhe është shpallur automatikisht fitues pa garë duke u konsideruar kështu edhe subject që ka plotësuar kriteret e kërkuara.

Madje rezulton se shuma e kërkuar nga kompania për të realizuar punimet është sa 99.9% të vlerës së tenderit. Shpesh në raporte vendase dhe ndërkombëtare theksohet se për shkak të mungesës së konkurrencës në tendera, dhe ofertat e bëra janë thuajse sa fondi limit.

Dyshimet për këtë tender shtohen akoma më shumë pasi një nga kompanitë që ka kërkuar të marrë pjesë, e ka denoncuar në Komisionin e Prokurimeve Publike. Por KPP ka vërejtur se kompania nuk kishte paguar tarifën e ndaj dhe dosja nuk është shqyrtuar.

Tenderat e FSHZH për ndërhyrjen në fshatrat me potencial turistik, vinë pas dështimit në realizimin e projektit “100 fshatrat turistik”, konstatim ky i bërë edhe nga KLSH.

Pavarësisht konstatimeve sërish edhe në këtë rast Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka gjetur emra përgjegjës por vetëm rekomandime.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.