As Rama nuk e frikëson Veliajn, u kërkon kompanive elektriçistë për të mbjellë pemë në Lanë

Erion Veliaj nuk ndalet në procedurat e dyshimta të tenderave që ai firmos pavarësisht kërcënimeve në publik nga kryeminsitri Rama për abuzimet në prokurime, të cilat ka deklaruar se do i çojë në SPAK. Një rast i tillë shfaqet hapur në procedurën prej 300 milionë lekësh, ose rreth 2.6 milionë eurosh për blerjen dhe mbjelljen e pemëve në disa lagje të Tiranës dhe në lumin e Lanes, ku ndër kriteret e vendosura është se kompanitë që do mbjellin pemë duhet të kenë elektriçistë.

Më 9 korrik 2022, në takimin me kryetarët e bashkive kryeministri Edi Rama do të deklaronte: Qepja me dorë e procedurës së tenderit si porosi e cënon drejtëpërsëdrejti shkallën e nivelin e pjesëmarrjes ndërkohë që në nivelin e qeverisjes vendore kanceri vazhdon të hajë lekë. Për më shumë se 50% e procedurave kanë vetëm 1 operator”

Por a ka zënë vend kjo porosi e Ramës dhe paralajmërimi se dosjet do ti dërgojë në SPAK?

Në fakt një rast i tillë shfaqet hapur në procedurën prej 300 milionë lekësh, ose rreth 2.6 milionë eurosh për blerjen dhe mbjelljen e pemëve në disa lagje të Tiranës dhe në lumin e Lanës.

Në kriteret e vendosura prej institucionit të drejtuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj kërkohet ndër të tjera që subjekti të ketë 150 punonjës me kontratë mes të cilëve dy hidraulikë, dy elektriçistë dhe po kaq teknik mekanik.

Arsyeja e çuditshme e kësaj kërkese është për të mbjellë mbi 1 mijë pemë në 15 ditë me dy turne.

Por të shkojmë më tej, kritereve të bashkisë së kryeqytetit u shtohet edhe një betoniere.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Pikërisht duke i konsideruar si kushte që eliminojnë konkurrencën tashmë është Komisioni i Prokurimit Publik që e ka bllokuar tenderin e kërkuar me urgjencë para zgjedhjeve vendore dhe rikthyer procesin nga fillimi.

Por ende mbetin pikëpyetje mbi këto kërkesa të firmosura nga vartësit e Veliajt.

Cilat kompani që kanë si objekt tregtimin e luleve dhe pemëve duhet të kenë të punësuar hidraulik, teknik mekanik apo dhe të kenë në dispozicion një betoniere që shërben për ndërtime të pallateve apo objekteve të tjera të betonit. Me çfarë qëllimi janë vendosur këto kushte, a çojnë ato në paravendosjen e fituesit?

Ndaj në këtë fund të vitit mbetet në pikëpyetje nëse paralajmërimi i kryeministrit do të jetë me vend, apo nëse vetë prokurime të tjera do të kalojnë në filtrin e hetimeve

"Duhet të shmanget në mënyrë kategorike hartimi i kritereve, qepja e kostumit me porosi. Mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithnjë e më përvëlues" u kujtoi Rama kryebashkiakëve në takimin e 6 korrikut.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.