Mbytet gomonia me emigrantë në Kanalin anglez, 4 të vdekur, 43 të shpëtuar. Reagon Sunak
Një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar pasi një gomone me emigrantë është përmbytur në Kanalin anglez pranë Kentit, ka thënë Agjencia Detare dhe Rojet Bregdetare. Flitet që në gomone kanë qenë 40 - 50 persona. Operacioni është në vijim dhe nuk dihet origjina e personave që kanë qenë në gomone.
LAJMI NE PERDITESIM TE VAZHDUESHEM
Ora 13:50 Incidenti në kanalin anglez, deri tani 4 të vdekur
Qeveria britanike konfirmoi se janë 4 të vdekur pasi gomonia me emigrantë u përmbys në kanalin anglez në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Një zëdhënës njoftoi se autoritetet ishin njoftuar për incidentin në orën 03:05 minuta të mëngjesit.
“Pas një operacioni të koordinuar kërkim-shpëtimi të udhëhequr nga Rojet Bregdetare, me keqardhje ka pasur katër vdekje të konfirmuara si rezultat i këtij incidenti. Hetimet janë në vazhdim dhe ne do të japim informacione të mëtejshme në kohën e duhur”
Më herët, një burim qeveritar tha se 43 persona ishin shpëtuar - megjithëse nuk është e qartë nëse ndonjë nga katër vdekjet ishte në mesin e atyre që fillimisht u shpëtuan gjallë.
Kryeministri Rishi Sunak shprehu 'dhimbjen' e tij për incidentin, duke u thënë deputetëve se kishte pasur një "humbje tragjike të jetës njerëzore".
Kërkimet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, por në këtë fazë dyshohet se shumë të tjerë kanë vdekur duke pasur parasysh temperaturat e ulëta të ujit.
“Kishte njerëz në ujë”, tha Lisa Holland nga Sky, duke shtuar se burimet i kanë thënë asaj se besojnë se temperatura do të kishte qenë rreth -4C në ujë. Ende nuk dihet kombësia e personave që kanë qenë në gomone.
Ora 11:37 Publikohen pamjet e para të shpëtimit të emigrantëve nga mbytja e gomones në Kanalin Anglez
Ora 11:02 Gomonia e mbytur në Kanalin Anglez, shpëtohen 43 persona, në gjendje të rëndë
Ora 10:48 Gomonia e mbytur në Kanalin Anglez, Daily Mail konfirmon 3 viktimat e para
Ora 10:43 Sky News: Në gomonen e mbytur ishin 30 - 50 persona, reagon Sekretarja e Brendshme e Britanisë
Ora 09:35 Mbytet gomonia me mbi 30 emigrantë në Kanalin anglez, dyshime për viktima në ujin e akullt
Një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar pasi një gomone me emigrantë është përmbytur në Kanalin anglez pranë Kentit, ka thënë Agjencia Detare dhe Rojet Bregdetare.
Dyshohet se rreth 40-50 persona kanë rënë në ujërat e akullta në brigjet e Kentit.
Varkat e shpëtimit, ekipet e shpëtimit të rojes bregdetare dhe një ambulancë ajrore janë dërguar për të ndihmuar me kërkimin.
Një varkë peshkimi është gjithashtu në zonë duke ndihmuar me shpëtimin, shtoi agjencia.
Helikopterët e Rojës Bregdetare HM nga Lydd dhe Lee on Solent dhe një nga Marina Franceze janë gjithashtu të përfshirë.
Thirrja emergjente për shpëtim erdhi pak pas orës 03:40 të mëngjesit të sotëm.
Gazetari i BBC Simon Jones ka deklaruar se ka të vdekur, por autoritetet nuk i kanë konfirmuar ato.
Edhe Daily Mail shkruan se bilanci i personave që kanë humbur jetën mund të jetë i madh.
Këtë vit, 44,000 migrantë kanë kaluar Kanalin me gomone. Shifrat e Home Office tregojnë se deri në qershor 2022, më shumë se 7,000 shqiptarë kanë bërë kërkesa për azil në Mbretërinë e Bashkuar pasi kanë mbërritur me gomone.

