Bllokohen rrugët në veri pas arrestimit të një ish-polici serb, dëgjohen sirena alarmi
Sipas informatave të REL-it nga terreni, rrugët janë bllokuar në Rudarë, komuna e Zveçanit, si dhe në Leposaviq.
Po ashtu, në Mitrovicën e Veriut dhe në Rudarë janë dëgjuar sirenat.
Në Rudarë janë parë edhe automjetet e ndihmës së parë.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviq, ka deklaruar se në Jarinjë sot është arrestuar Dejan Pantiq, ish pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Ai tha se për këtë ngjarje e ka njoftuar përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Petkoviq tha se do të kërkojë nga të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë që “të ndërpritet menjëherë hakmarrja ndaj serbëve".
Ndërkohë qytetarët serbë në veri kanë filluar të mblidhen në Rudarë, në afërsi të Zveçanit.
Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, aty janë parë burra të maskuar dhe gra.
Arsyeja e mbledhjes ende nuk është bërë e ditur, por ka informata se kjo vjen pas një arrestimi në veri.
Në këtë vend, Rudarë, më herët janë ngritur barrikada nga serbët lokalë.
