Zgjedhjet në Veri të Kosovës nuk shtyhen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, nuk ka asnjë vendimmarrja apo rekomandim për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të 18 dhjetorit, në Veri të Kosovës, që u shpallën pas bojkotimit në grup të krerëve të komunave me shumicë serbe atje. Anëtari i KQZ-së Arianit Elshani, thekson se KQZ-ja nuk ka kompetenca për një gjë të tillë

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani, shprehse se institucioni ku ai bën pjesë, nuk ka vendosur që të mos ketë rekomandim për shtyrje të zgjedhjeve në veri.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Elshani sqaroi se nuk është kompetencë e KQZ-së që të rekomandojmë shtyrjen e zgjedhjeve.

KQZ-ja, sipas tij, do t’i dërgojë mbrëmjen e së shtunës një raport presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me zgjedhjet që janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor. Bëhet fjalë, sqaroi ai, për një raport vetëm informues për procesin zgjedhor, deri më tani, për aktivitetet që janë zhvilluar dhe për ato që janë parashikuar të zhvillohen”.

Nga ana e saj Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se do të marrë vlerësime të sigurisë nga organet kompetente dhe bazuar në to, do të zhvillojë konsulta me partitë politike për të vendosur nëse duhet të shtyhen apo jo zgjedhjet në veri.

Debati për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve, u nxit pas disa incidenteve në veri të Kosovës, që kishin për cak edhe zyrat e komisioneve komunale zgjedhore, në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Autoritetet i kanë cilësuar këto incidente si “sulme terroriste”, teksa është rritur prania policore në këtë pjesë të Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve, për shkak të incidenteve në veri. Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, janë shpallur pas dorëheqjes së kryetarëve, nga radhët e Listës Serbe.

Dorëheqjet e zyrtarëve të kësaj partie erdhën në fillim të nëntorit si shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, për riregjistrimin e makinave me targa ilegale, të lëshuara nga Serbia