Davide Pecorelli do ekstradohet në Shqipëri, 5 akuza ndaj tij

Policia shqiptare ka konfirmuar arrestimin e Davide Pecorellit në Itali.

"Në vijim të bashkëpunimit policor me partnerët italianë, me qëllim lokalizimin dhe  kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, mbrëmjen e sotme, në Perugia, Itali, Policia italiane, në bazë të kërkesave të autoriteteve policore dhe të drejtësisë shqiptare, falë shkëmbimit të informacionit mes policive të të dy vendeve,  finalizoi  operacionin policor të koduar “Perugia”, në kuadër të të cilit kapi dhe vuri në pranga shtetasin italian D. P., 47 vjeç" njoftoi policia.

47-vjeçari ishte  i shpallur në kërkim  ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Mashtrimi", "Dhunimi i varreve", "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", "Shkatërrimi i pronës me zjarr" dhe "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror".

Ky shtetas, në janar të vitit 2021, inskenoi ngjarjen e vrasjes së tij dhe djegies së trupit.

Si rezultat i hetimeve të thelluara të kryera  nga strukturat  hetimore të Policisë së Shtetit shqiptar dhe Prokuroria e Pukës, në bashkëpunim me homologët italianë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe lokalizimi i shtetasit Davide Pecorelli, në një ishull.

Arrestimi i 47-vjeçarit, nga Policia italiane  mbrëmjen e sotme në Perugia, u bë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Davide Pecorelli do ekstradohet në Shqipëri, 5 akuza ndaj tij