“Uji mbrohet me shkopinj”, banorët e Kërçishtit në Dibër kundër marrjes së burimit
Disa dhjetëra banorë në fshatin Kërçisht të Dibrës, kanë protestuar të shtunën, kundër marrjes së burimit të ujit në fshat. Sipas banorëve, uji është i vetmi burim jete për ta dhe nuk do të lejojnë që ai të merret nga askush. Bashkia synon që me atë burim uji të furnizojë disa fshatra të tjerë, në zonën e Maçellarës.
Me shkopinj në dorë, dhjetëra banorë të fshatit Kërçisht në Dibër dolën në protestë të shtunën.
Ata i zunë rrugën fadromave, që kishin shkuar për të marrë burimin e ujit dhe për të furnmizuar zonën e Maqellarës.
Banorët thanë se Bashkia nuk kishte arritur marrëveshje me to, ndaj ujit, nuk do të lejojnë që uji të merret.
“Ҫfarë investimi na kanë bërë? Na kanë bërë rrugë, kanalizime, ujë të pijshëm? Asgjë s’kanë bërë. Vijnë këtu me eskavatorin që të merret uji në fshat. A ka institucione këtu?!
I themi Ramës të mos na bjeri kapterra këtu se nuk na tremb dot. Jetën nuk e japim për Ramën, jetën na e ka fal Zoti. Rama i di vetë programet ku i ka.
Bashkisë i kemi ҫuar për verifikim dhe nuk e ka ҫarë kokën asnjë njeri,” thonë banorët.
Të revoltuar thanë se po ua marrin të vetmin burim jete për ta.
“As rruga nuk u shtrua, tani duan të na mrrin edhe ujin. Do të vdesim këtu dhe ujin nuk do ta marri, të jenë policë e zoti vetë.
Me na marrë ujin na kanë marrë shpirtin. Për ҫfarë duhet jeta pa ujë. Të vdesim ne dhe le ta marrin,” thonë ata.
Banorët u përplasën edhe me forcat e rendit, në disa episode.
Ata u shprehen se do të vijojnë rezistencën e tyre dhe nuk do të lejojnë që uji të merret.
Banorët e fshatit Kërçisht i Epërm, janë mbledhur duke kundërshtuar marrjen e një burimi uji, që buron në malin sipër fshatit, për të furnizuar 15 mijë banorë të zonës së Maqellarës.
Banorët ankohen se Bashkia nuk ka arritur një marrëveshje me ta, pasi ujin që pretendon Bashkia të marrë për Maqellarën, e përdorin për vaditje. Ato nuk lejojnë marrjen e ujit,pasi në 30 vjet Bashkia nuk ka bërë asnjë investim.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.