Skemë e pastër piramidale, Tabaku nxjerr dokumentet e lidhjes së Arben Ahmetajt me incineratorët

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në lidhje me aferën e incineratorëve, ndërsa i bëri thirrje SPAK që t’i shkojë deri në fund dosjes së këtij Grupi të Strukturuar Kriminal që sipas saj ka abuzuar me 430 mln euro dhe që më tej ka prodhuar një skemë të pastër piramidale me paratë e shqiptarëve.

Deputetja e Partisë Demokratike dhe njeriu që udhëhoqi hetimet parlamentare të incineratorëve, Jorida Tabaku, ka nxjerrë dokumentet e reja që sipas saj provojnë lidhjen e socialistit Arben Ahmetaj, në atë kohë ministër në kabinetin “Rama”, me personat që po kërkohen nga drejtësia prej muajsh.

Bëhet fjalë për emailet e një prej pronarëve të incineratorëve i cili është në kërkim nga SPAK, ku sipas Tabakut kishte paguar udhëtimet jashtë vendit të ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj.

Në reagimin e saj, Tabaku shkruan se njerëzit e përfshirë në aferën e incineratorëve, me vlerë 430 mln euro, fshehin sekrete për korrupsionin e ministrave.

Vlen të kujtohet se për çështjen në fjalë ku janë të përfshirë, kryetar bashkie, ministra dhe deputetë të Partisë Socialiste nuk ka asgjë për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, i cili ka dhënë firmën e tij për këtë kontratë pa marrë miratimin nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Ndërkohë nga ana tjetër Bashkia e Tiranës vijon të paguajë tarifën e incenerimit, në një kohë kur incineratori në Tiranë nuk ekziston.

Po ashtu mbetet e paqartë se rrjedhja e dokumentave për këtë çështje ka të bëjë me prova shtesë për personat e përfshirë në këto afera, apo kemi të bëjmë me një luftë brenda socialistëve pak muaj para zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm.

Çështja mbetet sërish në duart e SPAK, të cilit provat mesa duket nuk i mungojnë.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.