Për mandarina në Konispol, dhjetëra punëtorë nga Elbasani e Fieri punë sezonale në jug

Mungesa e krahut të punës ëshë ndjerë edhe në sezonin e vjeljes së mandarinave në Konispol.
Dhjetëra punëtorë nga Elbasani e Fieri, kanë shkuar në skajin jugor të vendit për të punuar gjatë këtij sezoni, ndërsa ata shprehen të kënaqur me pagën dhe me kushtet që ofrojnë fermerët atje.

Shyqyri Murati ka shkuar nga Elbasani, për të punuar në fushatën e vjeljes së mandarinës në Konispol.

Prej vitesh në këtë periudhë të vitit ai shpërngulet në fshatrat e Konispolit, së bashku me familjen për të punuar.

Shyqyri Murati:“ Flemë në hotel, me qera, na paguajnë mirë, me familjen jetojmë tamam. Jemi të kënaqur”

Thotë, se në qytetin e tij nuk ka punë në këtë periudhë, por edhe kur ka, paga ditore është mjaft minimale.

Shyqyri Murati: “Në Elbasan nuk kam leverdi të punoj me 20 mijë lekë. Unë jam 5 veta në familje. Këtu marr 40 deri në 50 mijë lekë. Është më e leverdisshme këtu sesa në Elbasan”

Shpëtimi është një tjetër i ri, që punon në ngarkimin e kamionëve me mandarina. Ai vjen nga Fieri dhe thotë se pagat këtu janë shumë më të kënaqshme, se sa në zonën e tij.

Shpëtimi: “Jam shumë i kënaqur, paga është shumë e mirë. Po të punosh ka punë, po të mos punosh, i bie që të rrish rrugëve. Problemi qëndron se nuk ka punëtorë”

Bil Haxhiu është një fermer nga Konispoli, që çdo vit kërkon puntor për vjeljen e mandarinës. Ai thotë se këtë vit ka vështirësi në gjetjen e krahut të punës. Sipas tij, për shkak të emigrimit të të rinjëve, fermerët janë detyruar të punësojnë edhe vendas të moshave të mëdha.

Bil Haxhiu: “Këtë vit e ndiem shumë mungesën. Vitet e tjera ishte më ndryshe. Emigrimi i të rinjve, më përpara vinin të rinjtë. Kemi bër kapanone për të fjetur dhe nuk vijnë, vijnë shumë pak”

Tre muajit e mbledhjes së mandarinës janë kthyer në një sezon punësimi, për puntor të pakualifikuar nga e gjithë Shqipëria. Ky vit ka shënuar edhe një prodhim masiv të mandarinës, që eksportohet drejtë vendeve të Bashikimit Europian.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.