Shkelje e rregullave në punë dhe fshehje e të ardhurave, arrestohen 3 persona në Tiranë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 3 shtetas, të shpallur në kërkim për vepra penale në fushën e krimeve ekonomike.

Ndaj këtyre personave ishte dhënë masa e sigurisë arrest me burg, pasi akuzohen se kanë fshehur të ardhurat e tyre, si dhe për shkeljen e rregullave në punë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, mbi vendndodhjen e 3 shtetasve të kërkuar, kanë organizuar punën për kapjen e tyre. Si rezultat, u bë ndalimi i shtetasve:

-J. L., 26 vjeç dhe A. L., 52 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar ndaj tyre, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”; -L. A., 29 vjeç, banues në Lushnjë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në pune” dhe “Punësimi i paligjshëm”.” – njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.