“Kodra e Shtufit” po gërryhet/ Dy javë pas rrëshqitjeve bashkia e Gjirokastrës asnjë ndërhyrje

Kanë kaluar dy javë dhe rruga në lagjen Kodra e Shtufit në Gjirokastër, vazhdon të gërryhet. Ndërkohë që erozioni paraqet problem serioz për lagjet atje, Bashkia e Flamur Golemit nuk ka marrë asnjë masë.

Dy javë pasi Kodra e Shtufit në Gjirokastër pësoi shembje, situata vijon të jetë e njëjtë.

Disa thasë me rërë janë e vetmja masë që ka marrë Bashkia, e drejtuar nga socialisti Flamur Golemi.

Banorët shprehen të frikësuar me situatën, pasi nga momenti në moment, kodra mund të rrëshaqë.

“Frika është. Problemi kryesor, është se do bjeri ndonjë makinë atje, dhe do zejë ndonjë njeri.

I lan kështu, sepse bëjnë punimet dhe lekët i marrn. I bëjnë gjysmake punimet sepse lekët i fusin në xhep. As hekura si kanë vendosur, as mure nuk kanë bërë, as çimento, gjysmat në xhepa e gjysmat bëjnë punime,” thonë qytetarët.

Ata apelojnë institucionet që të ndërhyjnë për të marrë masa, që tu sigurohet jeta e tyre.

“Frika egziston, vijnë e shikojnë dhe ikin asgjë nuk është bërë. Duhet të ndërhyjnë, ashtu ta lënë? Kur të bëhet ndonjë kurban, pastaj të vënë dorë,” thonë ata.

Zona është një ndër më problematike përsa i përket rrëshqitjes së tokës, ndërsa shkak kryesorë i këtyre pasojave mendohet të jenë ndërtimet pa kriter dhe mosstabilizimi i ujërave të bardha.