Cavusoglu: Suedia dhe Finlanda duhet të bëjnë më shumë për t'u anëtarësuar në NATO
Turqia ka thënë se Suedia dhe Finlanda kanë bërë përparim në anëtarësimin në NATO, por ata duhet të bëjnë më shumë për të përmbushur kërkesën e Ankarasë për të luftuar terrorizmin.
Suedia dhe Finlanda aplikuan në maj për t'u bashkuar me NATO-n në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, por hasën në kundërshtime nga Turqia, e cila akuzoi dy vendet nordike se strehojnë militantë nga Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe organizata të tjera.
Stokholmi dhe Helsinki mohojnë se strehojnë militantë, por janë zotuar të punojnë me Ankaranë për të adresuar plotësisht shqetësimet e saj të sigurisë dhe gjithashtu heqjen e embargove të armëve që i kanë vendosur Turqisë.
“Të dy vendet morën disa hapa, ne i njohim. Por asnjë hap nuk është ndërmarrë në lidhje me kërkesat për ekstradimin e të dyshuarve dhe ngrirjen e aseteve terroriste”, u tha gazetarëve ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu gjatë një takimi të NATO-s në Bukuresht.
Cavusoglu, megjithatë, vlerësoi qeverinë e re të Suedisë për atë që ai e quajti një qëndrim më vendimtar dhe të ashpër kundër terrorizmit.
Duke folur më herët sot nga Bukureshti, ministri i Jashtëm suedez Tobias Billstrom tha se vendi i tij dhe Finlanda kanë bërë përparim drejt një marrëveshjeje me Turqinë.
“Kemi pasur një takim shumë të mirë dje dhe pas këtij takimi ndjej se ka progres. Ne po ecim përpara”, tha ministri suedez pas mbërritjes së tij në ditën e dytë të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s.
Hungaria, i vetmi anëtar tjetër i aleancës 30-anëtare të Atlantikut të Veriut që ende nuk ka ratifikuar anëtarësimin e dy vendeve nordike, ka premtuar të miratojë kërkesat e tyre në fillim të shkurtit 2023, tha sot Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto.
