NATO: Rusia nuk duhet nënvlerësuar! Von der Leyen: Gjykatë Speciale për të hetuar krimet ruse!
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa konfirmon mbështetjen e vendeve anëtare të Aleancës për Ukrainën deklaron se Rusia nuk duhet nënvlerësuar, pasi agresioni rus po vijon me të gjitha format. Ndërsa Sekretari amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bukuresht të Rumanisë, theksoi se po punohet për zgjerimin e koalicionit antirus. Presidentja e Komisionit Europian propozoi ngritjen e një Gjykate Speciale për të hetuar krimet e Rusisë në Ukrainë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehet se ushtria e Kievit ka bërë përparim të rëndësishëm.
Por shtoi se mbështetja e Aleancës ndaj Ukrainës është thelbësore, pasi Rusia nuk duhet nënvlerësuar.
Stoltenberg theksoi se raketat dhe dronët rusë vazhdojnë të godasin qytetet e Ukrainës, civilët dhe infrastrukturën kritike dhe kjo, tha ai, po shkakton vuajtje të mëdha njerëzore me afrimin e dimrit.
Ministrat e Punëve të Jashtme të NATO-s e kanë bërë të qartë se mbështetja ushtarake për Ukrainën duhet të fokusohet në veçanti me mbrojtje ajrore shtesë.
Një fakt i tillë është konfirmuar edhe gjatë takimit mes Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bukuresht të Rumanisë.
Blinken u zotua se do të vazhdojë mbështetja e NATO-s për Ukrainën, ndërsa shefi i diplomacisë ukrainase tha se me homologun amerikan po kërkojnë zgjerimin e numrit të vendeve që do t’i bashkohen koalicionit kundër agresionit rus në Ukrainë.
Furnizimi i Ukrainës me armë dhe rindërtimi i rrjetit të saj të dëmtuar elektrik për t’i mbijetuar dimrit nën bombardimet ruse ishte çështja kryesore në takimin Blinken-Kuleba.
Vlerësimet e fundit janë se Rusia ka shkatërruar ose dëmtuar së paku 40% të sektorit energjetik ukrainas, duke lënë miliona pa ngrohje, energji elektrike apo ujë.
Ndërkaq Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen përmes një video-mesazhi drejtuar krerëve të diplomacisë së vendeve të NATO-s propozoi ngritjen e një Gjykate Speciale të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për të hetuar krimet e Rusisë në Ukrainë.
Vlerësohet se më shumë se 20,000 civilë ukrainas dhe 100,000 ushtarë janë vrarë deri më tani.
