Italia: BE të frenojë ndikimin rus në Ballkan

Italia i ka bërë thirrje Brukselit që të rrisë prezencën e tij në Ballkanin Perëndimor me qëllim integrimin e rajonit, por edhe frenimin e influencës ruse.

Pak pas ardhjes të së djathtës, Italia ka marrë frenat e faktorit politik në arenën ndërkombëtare.

Roma i bën thirrje Bashkimit Evropian që të rrisë prezencën e tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Qëllimi i kësaj sipas ministrit të jashtëm italian, Antonio Tajani është frenimi i influencës ruse.

"Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm për paqe. Neve na duhet të ndalim rusët në Ballkanin Perëndimor, na duhet më shumë Evropë. Ne duhet të mbrojmë këto shtete në Ballkanin Perëndimor, sepse është e rëndësishme që në këtë moment të punojmë së bashku, uniteti është i rëndësishëm dhe çon mesazh të fuqishëm te Rusia," tha ai.

Kryediplomati italian i ka bërë këto komente në Bukuresht, ku po mbahet takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s.

Italia pas ardhjes së Giorgia Melonit në pushtet nisi të faktorizojë rolin e Romës në institucionet e Bashkimit Evropian të cilat janë drejtuar nga Franca dhe Gjermania.