Ja si festuan shqiptarët në Detroid, Boston, Filadelfia, Uashington e Florida për 110 vjetorin e pavarësisë
Me qindra shqiptarë nga Kosova dhe trojet i janë drejtuar Vlorës e Tiranës këtë 28 nëntor për të festuar 110 vjetorin e pavarësisë.
Festimet për këtë festë nuk kanë munguar as në Amerikë.
Beqir Sinaj, gazetar e studiues që jeton e punon në SHBA në një intervistë për Ora News tha se shqiptarët në Amerikë kanë një traditë të hershme të festimit të pavarësisë, e shënojnë me një serë aktivitetesh.
Beqir Sinaj: Aktivitetet këtu për festimin e 28 nëntorit kanë një traditë të hershme që zhvillojnë në muajin e nëntorit që e quajnë dhe nëntorin kuq e zi. Fillon me aktivitete të ndryshme që kulmojnë më pas me afrimin e festës. Festohet në qytetet ku banojnë më së shumti shqiptarë. Nga 1 nëntori janë zhvilluar aktivitete kulturore e artistike, koncerte, promovime librash, simpoziume dhe përkujtime të ndryshme lidhur me këtë festë. Është një atmosferë e jashtëzakonshme.
Si organizohen këto festime?
Beqir Sinaj: Organizohen shoqatat që veprojnë nëpër qytete të ndryshme. Festohet në Detroid, Boston, Filadelfia, New Jersey, Uashington, Florida, Alaska. Në këto qytete ditën e 28 nëntorit ngrihet flamuri në qendrat kryesore të këtyre qyteteve. Mbrëmë federata pan-shqiptare “Vatra” mblodhi disa shoqata dhe organizoi një mbrëmje festive ku ishin thirrur dhe personalitete nga Kosova e Shqipëria. Dje në një nga lagjet e New York ka pasur një demonstrim kuq e zi nëpër rrugët e qytetit me flamujt kuq e zi. Një sfilatë e makinave e veshur me flamujt kuq e zi.
Sa i përket rrugëtimit në këto 110 vite të pavarësisë a ka bërë Shqipëria hapa para?
Beqir Sinaj: Shqipëria natyrisht që ka bërë hapa para. Do të thoja që Shqipëria, Kosova e trojet shqiptare nuk kanë qenë asnjëherë më mirë sesa sot dhe këtë e tregon vetë populli shqiptar që kudo që është është entuziast për vendin e tyre. Por politika ndoshta e ka sfilitur atë bukurinë, entuziazmin që kanë pasur festat e shqiptarëve.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
