Berisha: Protesta e 6 dhjetorit i ka futur tmerrin qeveritarëve, ajo do të rezonojë fuqishëm në Evropë
Kreu i PD-së, Sali Berisha në një takim me krerët e kësaj partie në Tiranë, foli edhe për protestën e 6 dhjetorit kur do të mbahet Samiti i BE-së.
Ai tha se në Tiranë në datën 6 nuk mblidhen 30 diktatorë, por udhëheqës të vendeve të lira, të zgjedhur me votën e lirë, pa patronazhistë, pa narko euro, pa banda dhe blerje vote si Edi Rama.
Berisha shtoi se ata do të kenë mirëkuptim të plotë për një popull që proteston për të njëjtat vlera që i kanë bërë vendet e tyre të begata dhe vendet e tyre, demokraci të stabilizuara.
Berisha: Në Tiranë në datën 6 dhjetor, mblidhen udhëheqësit politikë të të gjitha vendeve të BE-së. U them të gjithë këtyre papagajve të qeverisë, se në Tiranë në datën 6 nuk mblidhen 30 diktatorë, por udhëheqës të vendeve të lira, të zgjedhur me votën e lirë, pa patronazhistë, pa narko euro, pa banda dhe blerje vote si Edi Rama, pra jam i bindur se ata kanë mirëkuptim të plotë për një popull që proteston për të njëjtat vlera që i kanë bërë vendet e tyre të begata dhe qytetarët e tyre të lirë dhe vendet e tyre, demokraci të stabilizuara.
Në këtë kontekst le t’i bien sa të duan sirenave të frikës dhe tmerrit që i ka kapur qeveritarët sot, por ajo protestë do të rezonojë fuqishëm në Evropë dhe botë, si zëri i qytetarëve që kërkon vlera universale, vlerat demokratike, të jenë ato që duan, të sundojnë përsëri në Shqipëri.
