Kurti, rezistencë kërkesave të SHBA e BE

Kryeministri Kurti ka vendosur t’i bëjë rezistencë thirrjeve të ndërkombëtarëve. Pasi nuk e shtyu vendimin për targat siç kërkuan SHBA dhe BE, kreu i qeverisë së Kosovës thotë se as asociacioni i komunave serbe nuk do të formohet.

Kryeministri Kurti refuzon të angazhojë qeverinë e tij për të formuar të ashtuquajturin asociacioni i komunave me shumicë serbe të cilin e kanë kërkuar prej kohësh Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka zgjedhur që t’i bëjë përgjegjës paraardhësit e tij për mos formimin e asociacionit.

Kurti: Unë erdha në pushtet vitin e kaluar dhe dokumenti për komunat serbe është nënshkruar nga ata që ishin para meje në krye të qeverisë, përse nuk e formuan ata?!

Zoti Kurti potencon se formimi i asociacionit është antikushtetues.

Kurti: Formimi i unifikimit të komunave serbe nuk është në harmoni me Kushtetutën tonë, baza e së cilës është multi-etniciteti i vendit. Kërkesat për një autonomi të Beogradit nuk vijnë nga popullata serbe në veri.

Kurti shprehu besimin se në dy vitet e ardhshme do të ketë një marrëveshje përfundimtare me Beogradin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Kurti: Unë jam shumë optimist sepse ka një shans të mirë për të arritur një marrëveshje me presidentin amerikan Joe Biden në Uashington dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin.

Situata aktuale mes Kosovës dhe Serbisë është ndër më të këqijat, me përfaqësuesit në veri që kërcënojnë me dhunë dhe me rezistencë ndaj policisë dhe me Prishtinën që refuzon të shtyjë afatin e riregjistrimit të targave ilegale.