Nesër përballë qeverisë, Balliu: Pse mos të dalim në protestë? Ekonomia në arkivol, Rama e ka vrarë shtetin shqiptar
Klevis Balliu, shef i Organizimit të PD, thotë se arsye shqiptarët për të dalë nesër në protestë kundër qeverisë kanë shumë, por për të mos e bërë një gjë të tillë asnjë.
Balliu: Pse mos të dalim në protestë? Gjithçka është bërë në këto 10 vite, është masakruar në mënyrën më barbare dhe të shëmtuar identiteti shqiptar, morali, traditat tona, ekonomia jonë, siguria e vendit. Jemi në atë pikë ku politika dhe morali nuk kanë më asnjë lidhje me njëra-tjetrën.Kemi një qeveri e cila nuk ka limit sepse nuk ka moral. Kjo është një qeveri e cila për 10 vite nuk ka bërë asgjë tjetër vetëm se ka dëbuar qytetarët shqiptarë nga shteti shqiptar. Kjo është e prapranueshme, e patolerueshme dhe nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë.
Për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, ai thotë se opozita e ka të qartë që përballë ka një regjim dhe beteja është e vështirë por jo e pamundur.
Balliu: Duhet ta kemi të qartë, kemi përballë një regjim, asgjë nuk është e lehtë, por asgjë nuk është e vështirë. Përsa kohë të biem dakord se ka nevojë për një ndryshim, për një aksion mbarëkombëtar për të shpëtuar vendin nga kthetrat e tij. Shqipëria në rrezik nuk është një filozofi, nuk është një slogan, është një realitet. Shqipëria është në rrezik se ekonomia shqiptare ka shkuar drejt vdekjes, është në arkivol. Kemi pedagogë që nuk i paguajmë dot, administrata është qesharake çfarë është bërë me të, është mbushur me patronazhistë ndërsa të rinj e të reja të mirëstudiuar nuk gjejnë dot punë sepse individë si Ulsi Manja duhet të fusin të gjithë farefisin e tyre në punë. Kemi një qeveri që thotë nuk kam para për pensionistët, për studentët, për arsimin, klulturën, artin, por kam 22 milion euro për të bërë xhiro me avion, kam 4 milion euro për të ndërtuar një ballkon në Ministri.
Edi Rama, thotë Balliu, e ka vrarë shtetin shqiptar, e ka plagosur shumë rëndë.
