Alban Bushi flet për “tradhëtinë” e Ndojit: Nuk na duhen lojtarë të tillë
Në konferencën e shtypit përpara ndeshjeve me San Marinon dhe Malin e Zi, trajneri i U-21, Alban Bushi publikoi listën e lojtarëve të grumbulluar por u ndal fillimisht te çështja “Ndoj”, mbrojtësi me origjinë shkodrane që refuzoi ftesën e Shqipërisë për Greqinë.
"Ndoj bëri dy zgjedhje brenda një muaji. Ka qenë lojtar i rëndësishëm i yni kur ka nisur sportin, tek Kombëtarja U-17 me profesor Xhemon. Pastaj, vendosi të kalojë te Greqia. Në një kohë që nuk po e merrte Greqia, unë e pashë në disa video me Olimpiakosin B, më pëlqeu. Kontaktova me prindërit e tij dhe i thashë, mendojeni nëse do të jetë pjesë e ekipit U-21 dhe më tha PO me shumë kënaqësi. U bë pjesë e U-21, hodhi një firmë që ndryshon Federatën, nga ajo greke në shqiptare, pasi duhet një firmë që të luash ndeshje miqësore, siç luajtëm ne. e hodhi firmën vetë, në dokumentin që ishte edhe shqip, edhe anglisht.
Pastaj u kthye në Greqi, e mori ekipi i parë dhe tha nuk dua të luaj më për Shqipërinë, por për Greqinë. Nuk ka asnjë lloj problemi për ne, sepse ne duam lojtarë që ta ndjejnë fanellën kur luajnë për Shqipërinë. Nëse ai është me dy mendje, mbase ka edhe të drejtë, sepse kështu e ndjen ai. Thjesht ne duam lojtarë që të ndjejnë fanellën, dhe ‘të mos luajnë’ shumë me ne. Nuk ka asnjë problem për ne sepse ne vazhdojmë punën, lojtarë ka plot Shqipëria plot. I uroj suksese Ndojit aty ku do të jetë. Ne mirëpresim çdo lojtar, nuk ka asnjë lloj problemi. Nëse do të jetë në kapacitetin e duhur, ne i mirëpresim. Ndoj është një lojtar që ka cilësi. Por edhe vetë ai bëri brenda një muaji dy zgjedhje".
