Mashtruesit në Shqipëri u morën spanjollëve kursimet në bursa
Nga zyra të kamufluara si Call Center në Shqipëri janë mashtruar mijëra qytetarë spanjollë. Oficerët e Guarda Civil ishin vetë në Tiranë për të përmbyllur operacioin e koduar “Frida-Refox” në bashkëpunim me SPAK dhe Policinë e Shtetit.
Me mijëra qytetarë spanjollë janë mashtruar nga platforma online të instaluara në Shqipëri në formën e Call Centerave.
Qytetarët mashtroheshin për të investuar në bursa, ndërsa dëmi që u është shkaktuar deri tani përllogaritet në afro 50 milion euro.
Hetimi i nisur që në vitin 2020 u përmbyll pak ditë më parë me arrestimin e 4 personave në Shqipëri, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Krahas qytetarëve spanjolle të mashtruar janë edhe shtetas të nacionaliteteve të tjera ndaj në hetime u përfshinë edhe 8 shtete të tjera ndër to edhe Gjermania e Suedia.
Kraja: Hetimet kanë qenë të përbashkëta me autoritetet gjyqësore të huaja nën drejtimin e EuroJust me përfshirjen e 8 shteteve: Suedinë, Shqipërinë, Finlandën, Gjeorgjinë, Gjermaninë, Letoninë, Spanjën dhe Ukrainën.
Rrumbullaku: Përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë hetim dhe në operacionin përmbyllës si dhe partnerët që na kanë besuar dhe ndarë informacionet e tyre me ne, duke i siguruar edhe njëherë për besimin, seriozitetin, profesionalizimin dhe përkushtimin e policisë së shtetit që si edhe në këtë rast do të jemi partnerë të denjë për luftën e përbashkët kundër shfaqjeve të kriminalitetit.
Operacioni është koordinuar nga Eurojust sipas të cilit hetimet për këtë grup kriminal në fushën e krimeve kompjuterike, kanë nisur që në vitin 2018.
Në Shqipëri janë sekuestruar mbi 300 pajisje kompjuterike në 11 zyra thirrjesh telefonike që u kontrolluan në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë.

