Disfavor për Serbinë, Kraki: Dinamika e re ripozicionon Kosovën si entitet të barabartë

Çështja e targave të Kosovës është kthyer në çështje ndërkombëtare. Vuçiç takohet me ambasadorin rus e kinez në Beograd, NATO flet në favor të shqiptarëve, por kush po përplaset realisht?

Politologju Nezir Kraki në një intervistë për Ora News me gazetarin Sebastian Zonja tha se Serbia prej vitesh ka pasur interes që të gjitha çështjet të politizohen në mënyrë që Kosova si shtet i pavarur të vishet me një farë kostumi si çështje e hapur.

Nezir Kraki: Çdo gjë që ka të bëjë me Serbinë dhe Kosovën merr konotacion politike. Serbia prej vitesh ka pasur interes që të gjitha çështjet të politizohen në mënyrë që Kosova si shtet i pavarur të vishet me një farë kostumi si çështje e hapur, jo si çështje e mbyllur. Duke thënë se në Kosovë ka ende probleme me pakicën politike serbe riaktualizohet nevoja sipas Serbisë për bisedime me Kosovën për çështjen përsëri të Kosovës. Vuçiç ju jepte dekorata policëve që dorëzuan uniformat e policisë së Kosovës para disa ditëve, do të thotë se ai i shpërblen ato që janë me mision dhe kanë kryer punën sipas strategjisë së Vuçiç.

Sipas tij momenti është i disfavorshëm për Serbinë.

Nezir Kraki: Dinamika e re e cila e ripozicionon Kosovën si entitet të barabartë apo që duhet të bëhet i barabartë nuk i intereson Serbisë. Sa më shpejt të zgjidhen çështjet pezull, momenti është i disfavorshëm për Serbinë dhe po aplikon idenë e sabotimit për shtyrjen, derisa të ndërrohen rrethanat. Situata gjeopolitike janë të disfavorshme për interesta gjeostrategjike serbe.