Mitrovica e Veriut në këmbë: Për t’i thënë Evropës njëzëri se Serbia është vendi ynë
Serbët, në Mitrovicën e Veriut u mblodhën këtë të dielë pranë shtatores së Car Lazarit me flamuj serbë në duar e duke kënduar këngë nacionaliste në protestë kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për çështjen e targave. Ata iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së Listës Serbe për t’u tubuar, një ditë pasi vendosën të largohen nga institucionet e Kosovës. Por as shqiptarët nuk qëndruan pas, të cilët pushtuan rrugët në lagjen e Boshnjakëve.
Një ditë pasi përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës kanë vendosur të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës: Qeveria, Kuvendi, pushteti lokal, gjyqësori dhe policia, në Mitrovicën e Veriut, një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, është thirrur një protestë nga Lista Serbe, forcë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kjo protestë është thirrur për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe KM në targat RKS.
Lista Serbe tha se protesta organizohet për të treguar “unitet dhe për t’i thënë Evropës, njëzëri, se Serbia është vendi i tyre”.
Policia e Kosovës ka thënë përmes një komunikate se është njoftuar për protestën e 6 nëntorit dhe se ka marrë masa për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka thënë se vendimi për largim nga institucionet e Kosovës do të jetë në fuqi derisa “Prishtina të fillojë të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e dakorduara në Bruksel”.
Mobilizimit serb I janë kundërpërgjigjur menjehërë dhe banorët shqiptarë në Mitrovicën e Veriut, të cilët kanë vënë flamuj të Kosovës dhe ata kombëtarë në të gjitha rrugët në “Lagjen e Boshnjakëve”.
Njëri nga organizatorët e këtij aktiviteti, tha se me këtë duan të tregojnë se askush prej tyre nuk e ka ndërmend të largohet nga atje.